Kosova debuton në tregun më të madh botëror të animacionit, prezantohet në MIFA në Annecy
Për herë të parë në histori, Kosova ka shënuar pjesëmarrjen e saj në Marche International du Film d’Animation (MIFA) – tregun më të madh dhe më prestigjioz ndërkombëtar të filmit të animuar, që zhvillohet në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit në Annecy të Francës. Kjo pjesëmarrje përfaqëson një moment të rëndësishëm për zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e industrisë kreative të vendit.
Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila po përfaqëson vendin në këtë ngjarje të rëndësishme, shpreh krenarinë për këtë hap historik. Së bashku me të, pjesë e delegacionit janë edhe përfaqësuesit e festivalit Anibar, të cilët prej vitesh kanë ndikuar në fuqizimin e animacionit si formë arti dhe industrie në Kosovë.
Një nga momentet kulmore të prezencës kosovare në MIFA do të jetë organizimi i ngjarjes “Anibar Genesis Pitch” më 13 qershor, ku do të prezantohen projektet e gjashtë animatoreve të reja kosovare: Fjolla Mani, Dëbora Musliu, Finesa Peja, Flaka Kokolli dhe Erza Qorolli. Kjo iniciativë synon të fuqizojë zërat e rinj krijues dhe të ofrojë platforma konkrete për përkrahjen dhe promovimin e talenteve vendore në arenën ndërkombëtare.
Për më tepër, Qendra Kinematografike e Kosovës po e shfrytëzon këtë platformë globale për të promovuar edhe skemën e Rabatit prej 30%, që tashmë përfshin edhe projektet e animuara. Kjo masë e re synon të nxisë bashkëprodhimet ndërkombëtare dhe të përshpejtojë zhvillimin e industrisë së animacionit në vend, duke e bërë Kosovën një destinacion atraktiv për investime në këtë sektor.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, më 12 qershor Ambasada e Kosovës në Francë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës, do të organizojë një pritje për profesionistët ndërkombëtarë të animacionit, me synim thellimin e lidhjeve dhe shkëmbimeve kulturore.
Pjesëmarrja në MIFA shënon një hap strategjik për Kosovën drejt krijimit të një infrastrukture të qëndrueshme profesionale për prodhimin e animacionit, si dhe për integrimin më të thellë të sektorit kreativ në tregun ndërkombëtar. Kjo është një dëshmi e përkushtimit të institucioneve kulturore në ndërtimin e një të ardhmeje më të fuqishme për artin e animacionit në Kosovë.