“DokuFest” kërkon sqarim publik për zvogëlimin e mbështetjes nga Komuna e Prizrenit

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka vazhduar shprehjen e mospajtimit me vendimmarrjen e Komunës së Prizrenit, përkatësisht Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për ndarjen e subvencioneve.

“DokuFest” nga zyrtarët komunalë ka kërkuar transparencë lidhur me arsyet për zvogëlimin e përkrahjes për këtë ngjarje kulturore.

“Derisa buxheti i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport i Komunës së Prizrenit është duke u rritur nga viti në vit, në këto dy vitet e fundit subvencionet e DKRS-së për ‘DokuFest’-in janë duke u zvogëluar. Nëse ky veprim i drejtorisë përkatëse nuk është çështje buxhetore, atëherë ne kërkojmë sqarim publik se cilat janë arsyet e zvogëlimit të përkrahjes për festivalin tonë, i cili gjerësisht konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në Kosovë”, thuhet në reagimin e publikuar të mërkurën.