Duka pas barazimit ndaj Letonisë: Asgjë s’ka mbaruar, rikthehemi në shtator

Kombëtarja e Shqipërisë ka barazuar 1-1 në udhëtim te Letonia në kuadër të Kampionatit Botëror.

Me këtë barazim, kuqezinjtë aktualisht renditen të dytit në tabelë me pesë pikë, kurse Letonia e katërta me katër sosh.

Pas ndeshjes ka reaguar presidenti i Federatës Armand Duka, ku u shpreh se asgjë s’ka mbaruar dhe se do të rikthehen në shtator. /Zëri

Postimi i plotë:

Ndeshja në Letoni nuk ishte ajo që do të donim të shihnim, apo rezultati që do të duhej të merrnim. Gabuam në disa raste dhe kundërshtari shfrytëzoi në gabimet tona. Dalim me vetëm një pikë nga kjo ndeshje, teksa duhet t'i merrnim të tria.

Kemi bërë gjysmën e ndeshjeve eliminatore dhe gjysma tjetër e mbetur na imponon të jemi me mendësi e energji krejt të tjera.

Kuptoj dhe mirëkuptoj sensitivitetin e çdokujt për ekipin tonë kombëtar dhe mbarëvajtjen e tij.

Nuk arritëm të merrnim fitoren, por gara vazhdon, kemi ende dhe një gjysmë rruge përpara. Asgjë nuk është mbyllur dhe asgjë nuk ka mbaruar për asnjë nga rivalët tanë. Natyrisht, ne na duhet të rikthehemi në shtator më të kthjellët dhe më me uri e grintë për të marrë maksimalen e për të bërë rezultat e fitore edhe aty ku askush tani nuk mund ta mendoje.

Dhe për të arritur këtu stafi teknik duhet t'i nënshtrohet një analize bazike siç edhe përherë bën, por që këtë radhë kam bindjen që do të prodhoje një reagim të menjëhershëm.

Luajtëm 4 sfida, kemi edhe 4 të tjera. Njohim forcën e rivalëve sikundër edhe ata njohin mirë peshën dhe rrezikun tonë. Do të luajmë deri në sekondën e fundit të gjitha shanset e mundësitë tona që ende i kemi në këmbët tona!

A mund të merrnim më shumë? Natyrisht po, por ky është futbolli!

A kemi gabime në lojë që kërkojnë të analizohen me qetësi e maturi. Patjetër. Si çdo ekip tjetër. Ne do të vazhdojmë fort dhe me besim garën tonë ende të hapur.

Sepse, Ne jemi Shqipëria!

Do të provojmë e sakrifikojmë deri në pasin e fundit të mundësive që kemi!

Rikthehemi në shtator!