Asllani: S’mund të bëhet një pjesë e parë e tillë, ishim me fat

Kristjan Asllani foli për Tv Klan, pas ndeshjes ku Shqipëria barazoi ndaj Letonisë në transfertë.

Asllani u shpreh se pjesa parë ishte dobët dhe theksoi se nuk duhet bërë më një pjesë e parë e tillë.

Sipas tij, në shtator, ekipi duhet të ketë qasje tjetër dhe do të kërkohet vetëm fitorja.

“Nuk e di, por nuk ka qenë një pjesë e parë pozitive. Nuk e di çfarë ka ndodhur. Kishim edhe fat, sepse ata gabuan edhe penalltinë. Nuk mund të bëhet një pjesë e parë e tillë, sepse e dimë ëndrrën që kemi. Kur ka një pjesë të parë të tillë, bëhet e vështirë pastaj.

Ishte një ndeshje e vështirë. Në pjesën e dytë u mbrojtën mirë. Kur të kthehemi në Kombëtare në shtator, duhet një qasje tjetër.

Në pjesën e dytë, trajneri na kërkoi mua dhe Shehut të ndihmonim më shumë mbrojtjen. Provova me krosime për të gjetur ndonjë nga shokët, por nuk ndodhi.

Kur të kthehemi do të punojmë akoma më fort. Kur të kthehemi duhet të luajmë vetëm për të fituar ndeshjet.

E ardhmja te Interi? Nuk e di. Do shkoj në Botërorin e Klubeve dhe për merkaton do flasim sërish”, u shpreh Asllani.