Rasti i agjentit të BIA-s, Ramadani: U lumtë Prokurorisë dhe institucioneve të sigurisë!

Aleksandar Vlajiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale “Spiunazh” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Në seancën e së enjtes u tha se Vlajiqi, agjent i BIA-s serbe, ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale.

E këto zhvillime i ka mirëpritur njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani.

Në reagimin e tij, Ramadani ka përgëzuar Prokurorinë Speciale për rastin e agjentit të BIA-s, Aleksander Vlajiq.

“U lumtë Prokurorisë Speciale dhe institucioneve të sigurisë për rastin e agjentit të BIA-s, Aleksander Vlajiq! Kjo tregon që sinkronizimi i punës mes institucioneve gjithnjë jep rezultate. Siguria Kombëtare është detyrë, obligim, nder! Sipas aktakuzës së ngritur më 22 maj 2025, Vlajiqi ka vepruar si bashkëpunëtor i BIA-s, duke mbledhur informacione që rrezikonin rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës”, ka shkruar Ramadani në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ndryshe, Aleksander Vlajiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale të spiunazhit dhe atë të armëmbajtjes pa leje, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përmes një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë të lidhur me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka propozuar që për veprën penale të spiunazhit, Vlajiqi të dënohet me burgim efektiv nga 4 vjet e 6 muaj deri në 5 vjet, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim. Ndërsa për veprën e armëmbajtjes pa leje, është propozuar dënim me 6 muaj burg, me mundësi zëvendësimi me gjobë në shumë prej 1.000 eurove.