Mbi 200 mijë aplikime për bileta në ndeshjen Shqipëri – Serbi
Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se deri tani kanë aplikuar më shumë se 200 persona për të siguruar një biletë për të parë ndeshjen Shqipëri – Serbi në stadiumin “Arena Kombëtare”, më 7 qershor.
Në një njoftim të lëshuar në Facebook, FShF bën të ditur se faza e aplikimit për bileta është hapur më 15 maj dhe ka qenë e hapur për 15 ditë, deri më 30 maj në orën 20:00, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë vendit. Çdo aplikues ka pasur të drejtë të aplikojë për të blerë deri në 4 bileta.
Ndërsa për procesin e përzgjedhjes, FShF-ja tregoi se do të bëhet me short elektronik.
“Nga 31 maj deri më 2 qershor, zhvillohet shorti elektronik që përzgjedh në mënyrë krejtësisht rastësore aplikuesit që do të fitojnë të drejtën për të blerë biletë. Çdo person i përzgjedhur do të marrë një e-mail zyrtar me një link personal, për të vijuar më pas me blerjen e biletave”.
Deri më tani janë regjistruar mbi 200,000 aplikime, që tregon interesin e jashtëzakonshëm të publikut për këtë ndeshje. Do të zbatohen filtra sigurie dhe verifikimi për të eliminuar: aplikime të dyfishta apo të dyshimta, llogari të krijuara enkas për spekulim ose abuzim dhe për të siguruar që çdo individ të ketë vetëm një mundësi të drejtë”, thuhet në njoftim
Poashtu shtohet se çdo biletë do të jetë e personalizuar me emër dhe mbiemër, dhe në hyrje të stadiumit, Policia e Shtetit do të verifikojë ID-të për përputhshmërinë me të dhënat e biletës.