Prishtina mirëpret edicionin e parë të Festivalit të Koreve të Fëmijëve “Crescendo”

Kryeqyteti ka mirëpritur edicionin e parë të Festivalit të Koreve të Fëmijëve “Crescendo”, një nismë e re kulturore që synon të rikthejë artin koral në skenën artistike të Kryeqytetit.

Me ftesë të drejtoreshës ekzekutive të festivalit, Diana Toska, në këtë ngjarje mori pjesë edhe drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

Halimi përmes një postimi në Facebook është shprehur e entuziazmuar për këtë organizim, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve në forma të tilla të shprehjes artistike.

“Kjo nismë rikthen artin koral si një formë të bukur të shprehjes artistike, duke lartësuar zërin dhe talentin e fëmijëve që sonte na mahnitën me interpretimet e tyre”, ka shkruar ajo.Drejtoresha Halimi gjithashtu vlerësoi kontributin e dirigjentëve që qëndrojnë pas këtyre sukseseve, duke i falënderuar për përkushtimin dhe pasionin e tyre që, sipas saj, i japin shpirt artit të Prishtinës. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për dirigjentët Artan Jerliu, Vehbi Shosholli, Memli Kelmendi dhe Elikona Hysaj Shala.

Festivali “Crescendo” shihet si një hap i rëndësishëm në pasurimin e jetës kulturore të fëmijëve dhe promovimin e artit koral në mesin e brezave të rinj.