Kuvendi që nuk lind dhe Republika e ngecur në amnezi
Për të njëzetën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet. As në një dramë politike të shkruar nga Samuel Beckett nuk do ta gjente vendin një absurditet i tillë. Por në realitetin e shtetit tonë kjo nuk është më as dramë, është gjendje kronike. Ajo që në çdo vend normal do të ishte skandal institucional dhe thirrje për dorëheqje masive, këtu është shndërruar në rutinë. Klasa politike e Kosovës, pavarësisht partive, ideologjive të shpikura dhe fjalimeve të stërkëmbura, e ka mbyllur plotësisht ciklin e përgjegjësisë ndaj qytetarëve. Nuk është më krizë. Është kapitullim moral dhe institucional.
Kur Kuvendi nuk mund të konstituohet për muaj të tërë për shkak të pazareve për një post, atëherë pyetja e vetme legjitime është: A e meriton ky vend këtë kastë politike? A mund të flasim ende për një republikë, kur instrumentet e saj më themelore mbahen peng nga ethet e pushtetit dhe paranojat e liderëve? Sepse nuk është më fjala për mungesë të numrave, por për mungesë të karakterit politik. Kemi ndërtuar një klasë politike të paaftë për kompromis, por të pangopur për privilegj. Një elitë që e sheh shtetin si një ndërmarrje private në të cilën aksionarët luftojnë për fitim personal, jo për shërbim publik.
Të gjithë ata që sot sillen si mbrojtës të vullnetit qytetar, në të vërtetë janë arkitektët e këtij dështimi të përbashkët. Ata që nuk dalin dot nga korniza e së kaluarës, që për çdo çështje ngrenë flamurin e luftës apo të tradhtisë, që për çdo emër të propozuar për kryetar kuvendi fillojnë lojën e shantazhit dhe diskreditimit. Është e pabesueshme sesi pas dy dekadash “tranzicion”, Kosova ende mbetet peng i skemave primitive politike që bazohen më shumë në emocione të paartikuluara nacionaliste sesa në kalkulime të përgjegjshme shtetformuese.
Dështimi për të konstituuar Kuvendin është vetëm maja e një ajsbergu të thellë të mosfunksionimit politik. Kjo krizë e përsëritur nxjerr në pah një sërë problemesh që janë mbuluar me retorikë patriotike dhe marketing politike, mungesën e një kulture demokratike, paaftësinë për dialog, arrogancën e pushtetit dhe frikën patologjike nga transparenca. Nuk jemi duke parë vetëm një përplasje për poste. Po shohim një zhveshje të plotë të sistemit nga çdo iluzion funksionaliteti.
Ajo që e bën këtë situatë edhe më të rëndë është heshtja e institucionalizuar që vjen nga të gjitha anët. Presidentja flet si moderatore nëpër konferenca ndërkombëtare, jo si figurë që duhet të garantojë funksionimin kushtetues të shtetit. Qeveria, e zhytur në krizë legjitimiteti dhe pa Kuvend, sillet sikur gjithçka është në rregull. Opozita e reduktuar në zhurmë televizive, pa vizion dhe pa forcë për të ofruar alternativë. Institucionet e drejtësisë që nuk pyesin më për përgjegjësi politike, sepse janë vetë pjesë e të njëjtit kompromis të heshtur për mosprekshmëri. Dhe qytetari? I lodhur, i hutuar, i tërhequr në heshtjen e vet cinike.
Kur Kuvendi nuk funksionon, nuk është vetëm legjislativi që dështon. Dështojnë të gjitha hallkat e shtetit. Nuk ka buxhet, nuk ka reforma, nuk ka kontrolle mbi ekzekutivin. Ministritë shndërrohen në agjenci të një partie, zyrtarët bëhen noterë të vullnetit të liderit dhe qytetari përjashtohet nga çdo proces vendimmarrës. Kemi krijuar një sistem ku pushteti është gjithçka dhe përgjegjësia asgjë. Një republikë në letër, por pa asnjë shtyllë të vërtetë demokratike.
Nuk mund të flitet më për ndarje pushtetesh kur një grup i vogël individësh vendos për fatin e institucioneve, ndërsa dhjetëra deputetë presin urdhra në WhatsApp. Nuk mund të ketë më besim në zgjedhje kur vota përfaqësohet nga deputetë që nuk arrijnë të ulen për të miratuar as rregulloren e punës. Nuk mund të ketë më demokraci funksionale kur kompromisi është fjalë e ndaluar, ndërsa grindja është strategji mbijetese.
Elita politike në Kosovë, pa përjashtim, ka dështuar. E ka konsumuar të gjithë kapitalin moral të fituar pas luftës. E ka përdorur patriotizmin si mbulesë për keqqeverisje, e ka shfrytëzuar drejtësinë si instrument të kontrollit politik dhe e ka shpërfillur popullin në çdo vendim të rëndësishëm. Dhe më tragjikja nuk ndjen asnjë ndjesi përgjegjësie për këtë dështim të përsëritur. Sepse në këtë sistem të mbyllur, dështimi nuk ndëshkohet, thjesht riciklohet.
Në vende normale, krizat politike zgjidhen me dialog, me dorëheqje, me zgjedhje të reja apo me reforma kushtetuese. Në Kosovë, zgjidhen me vonesa, me justifikime dhe me harresë. Opinioni publik mbushet me tema të rreme, me polemika sterile dhe me emisione ku të njëjtat figura përplasen në studio, ndërsa në Kuvend nuk ka kush të ndez mikrofonin. Dhe kështu vazhdon simulimi i shtetndërtimit në një vend ku gjithçka duket, por asgjë nuk funksionon.
Në fund, duhet ta pranojmë se Kosova nuk është në krizë për shkak të një posti. Është në krizë sepse ka lejuar që pushteti të shkëputet plotësisht nga populli. Sepse ka normalizuar mosfunksionimin dhe ka heshtur përballë abuzimit me demokracinë. Sepse ka toleruar për dy dekada që politika të mbetet një fushë e minuar, ku askush nuk hyn për të shërbyer, por vetëm për të sunduar.
Nëse ky Kuvend nuk lindi për herë të 20-të, atëherë nuk është më problem i procedurave, por i sistemit. Dhe ky sistem nuk do të ndryshojë vetvetiu. Do të ndryshojë vetëm kur qytetari ta kuptojë se heshtja është pjesëmarrje në krizë. Dhe vetëm atëherë kur ne të gjithë, si shoqëri, të kërkojmë llogari pa kompromise, pa “na falni, kështu është politika” dhe pa iluzione për liderë të pakorrigjueshëm.
Sepse kjo nuk është politikë. Është sabotim institucional me leje publike.