Arianit Krasniqi fiton “Montana Cup” në Paris – Dinastia boksit Krasniqi shkruan histori të re

 

Paris/Stuttgart, 18 maj 2025 – Boksieri shqiptar nga Gjermania, Arianit Krasniqi, tregoi një performancë të shkëlqyer gjatë fundjavës së kaluar në Montana Cup në Paris, një nga turnetë më prestigjiozë ndërkombëtarë për boksin amator. Ai arriti të fitojë finalen ndaj një boksieri francez, vendas, me vendim unanim të gjyqtarëve, pas një gjysmëfinale po aq mbresëlënëse.

Montana Cup mblodhi ekipe kombëtare nga vende të shumta si Franca, Kanadaja, Anglia, Kroacia, Brazili, Mali i Zi, Ukraina dhe Azerbajxhani – një nivel i lartë konkurruesie që e bëri fitoren e Arianitit edhe më domethënëse. Ai dominoi në të gjitha përballjet dhe u dallua si një nga talentet më premtuese të boksit gjerman dhë shqiptar!

Në moshën 21-vjeçare, Arianit Krasniqi është tashmë pjesë e ekipit kombëtar të Gjermanisë dhe shihet si një kandidat serioz për Lojërat Olimpike 2028 në Los Angeles. Me teknikën, vendosmërinë dhe maturinë e tij në ring, ai është një shpresë reale për të ardhmen e boksit gjerman.

Suksesi sportiv është trashëgimi në familjen Krasniqi. Vëllai i Arianitit, Ardian Krasniqi, është ish-kampion i Gjermanisë dhe kampion aktual i WBO Intercontinental. Vetëm tre javë më parë, ai mbrojti me sukses titullin e tij kundër argjentinasit të fortë, Diego Ramirez.

Të dy vëllezërit stërviten nga babai i tyre, Agim Krasniqi, vëllai i ish-kampionit të Evropës dhe nënkampionit të botës, Luan Krasniqi. Luan është figura udhëheqëse që frymëzoi të gjithë familjen drejt boksit. Ai fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike 1996 dhe sfidoi për titullin botëror të WBO – duke u bërë një emër legjendar në boksin gjerman.

Familja Krasniqi e ka ndikuar boksin gjerman për më shumë se tre dekada, dhe mbiemri i tyre është bërë emblemë dhe markë për sukses, jo vetëm në Gjermani, por edhe në mesin e komunitetit shqiptar dhe kosovar në mbarë botën. Sukseset e tyre i kanë bërë shembull dhe frymëzim për shumë të rinj shqiptarë që ëndërrojnë të arrijnë lart në sport.

“Luani ka qenë gjithmonë udhërrëfyesi ynë,” thotë Ardian Krasniqi. “Ai na motivoi të ndjekim këtë rrugë – dhe tani po e vazhdojmë suksesin: unë te profesionistët, Arianiti te amatorët. Babai ynë Agimi, si trajner, e plotëson këtë familje të boksit.”

Me Arianit Krasniqin po rritet një brez i ri boksierësh, me ambicie ndërkombëtare dhe përkrahje familjare të pathyeshme – një familje boksi në rrugën e suksesit.