Promovohet libri “Mali i qumështit”, i autores Ervina Halili

Autorja Ervina Halili, ka promovuar librin "Mali i Qumështit".

Romani “Mali i qumështit” (Onufri, 2025) është një tjetër dritë në krijimtarinë e autores Ervina Halili e cila vazhdimisht ballafaqohet me lexuesin, duke paraqitur mendime dhe skena të cilat vënë pikëpyetje të shumta në kokën e lexuesit. Promovimi i këtij libri u bë dje në ambientin e librarisë Dukagjini në Prishtinë, me ç’rast u diskutua stili, rrëfimi dhe kalimi nga poezia në prozë i autores Halili e cila konsiderohet të ketë shkruar një vepër që lehtësisht zgjon imagjinatën e njeriut.

“Mali i qumështit” është një rrëfim me kujtime nga ngjarje të vërteta nga jeta jashtëletrare. “Udhëtimi i vetes sonë metafizike nëpër botën që na pret krahapur me dashuri e shërim si një nënë e madhe, ndonëse ngjan fantastik, është po aq i realtë, pavarësisht çfarë pamje merr i reflektuar nga imagjinata jonë”, ka bërë të ditur autorja Halili.

Sipas saj në libër, mali përveç një hapësirë e realtë përjetimesh është poashtu një hapësirë utopike që jeton në zemrën e secilës grua.

Promovimi i cili filloi në orën 18:00 mblodhi rreth vetës artdashës, shkrimtarë e poetë. Në këtë ngjarje në panel të ftuar ishin autorët Ernestina Gjergji Halili, Ag Apolloni dhe autorja e librit, Ervina Halili. Panelin e moderoi Latif Mustafa i cili librin e trajtoi si një temë që flet dukshëm për shoqërinë tonë. “Ervina është personi i parë e cila shkruan për letërsinë në të cilën nuk e sheh Zotin të shkrirë në gjithçka, por gjithçka e sheh të shkrirë tek Zoti apo sido që dëshironi ta quani atë. Edhe tek ky libër bëhet rezonimi i saj, pra ajo shkrihet në natyrën dhe natyra shkrihet në të. Autorja përpiqet të shkruajë për jetë, për mënyrën se si gjërat lindin. Edhe aktin e ngjizjes e sheh sikur poesis, diçka që vjen nga universi dhe frutizohet në botë”, thotë Mustafa. /KultPlus