Zymberi: Shkelja e të drejtave të punëtorëve, ende e pranishme
Nesër shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, në të cilën kërkohen të drejta dhe përmirësim i kushteve të punës.
Qendra Kosovare për Studime Gjinore sot ka diskutuar pikërisht për diskriminimin me bazë gjinore në tregun e punës në Kosovë, e cila ka theksuar sfidat kritike dhe ka dhënë rekomandime konkrete për politika më gjithëpërfshirëse dhe të drejta në vendin e punës.
Lavdie Zymberi nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore në RTK, duke folur për raportin, theksoi se “në bazë të të gjeturave tona, është mjaft i shprehur diskriminimi me bazë gjinore”.
Ajo tha se ky nuk është raporti i vetëm që Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka bërë në këtë fushë.
Sipas saj, QKSGj vazhdimisht evokon sa i përket arritjes së barazisë gjinore në tregun e punës.
Ajo pohoi se shkelja e të drejtave të punëtorëve vazhdon të jetë e pranishme, por më e theksueshme është te gratë e më e cenueshme te gratë e komunitetit rom, ashkali, egjiptian, e në disa raste te komuniteti me nevoja të veçanta, edhe nga komuniteti LGBTQI+.
“Diskriminimi fillon kur gratë futen në tregun e punës. Një përqindje e vogël, rreth 20 % e grave janë të punësuara. Edhe kur janë të punësuar tregu i punës u ofron më pak kontrata”, shtoi ajo.
Dokumenti nxjerr në pah ndikimin disproporcional të diskriminimit ndaj grave, përfshirë ato nga komunitetet e margjinalizuara, si gratë me aftësi të kufizuara, komunitetet etnike joshumicë dhe personat LGBTQI+.