IPK-ja rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Gjakovë, arrestohet njëri prej tyre
Arrestohet një zyrtar policor nën dyshimin për veprën penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” sot në Gjakovë.
Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi nga Inspektoratit Policor i Kosovës.
Sipas njoftimit, të njëjtët me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Duke iu referuar kontrollit të realizuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjakovë dhe me autorizim të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin për veprën penale ‘Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale’. Të njëjtit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se lidhur me rastin e njëjtë dy zyrtarë policorë hetohen në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
“Si pjesë e procedurave administrative, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e këtyre zyrtarëve (tre zyrtarëve policorë) të përfshirë si të dyshuar në këtë rast”, thuhet ndër të tjera në njoftim.