Krasniqi: Sipas një interpretimi të Kushtetueses, nëse i pari nuk propozon kryetarin e Kuvendit, i kalon partisë së dytë
Eksperti i zgjedhjeve nga Demokraci Plus (D+), Albert Krasniqi është shprehur se Gjykata Kushtetuese ka interpretuar e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit i takon subjektit politik me numrin më të madh të deputetëve pas zgjedhjeve.
Por, sipas tij kjo nuk është e vlefshme për çdo rast e aq më tepër kur subjekti nuk paraqet një kandidat për kryeparlamentar, raporton Zeri.info.
Krasniqi ka kujtuar një rast të vitit 2014, kur PDK-ja kishte propozuar Agim Aliun si kandidat për Kryetar të Kuvendit e që bllokimi i institucioneve nuk është i lejuar nga Kushtetuta, ashtu siç nuk ishte lejuar monopoli në rastin e propozimit të mandatarit për Kryeministër.
“Një e drejtë që nuk ushtrohet, humbet. Prandaj, një interpretim nga Gjykata Kushtetuese për situatën kur nuk propozohet kandidat brenda një afati të arsyeshëm, nuk duhet të përjashtojë mundësinë që kjo e drejtë t’i kalojë një subjekti tjetër politik që ka numrat për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit”, thuhet në postimin e tij të publikuar në Facebook. /Zëri