Këto janë vendimet që mori sot Qeveria

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka marrë disa vendime.

Mes tyre është edhe ai për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës, ndërsa ka emëruar zëvendësdrejtorin ekzekutiv për Trajnimin e të Burgosurve në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe emëruar Irfan Lipovicën në pozitën e drejtorit të përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit, transmeton Zeri.info.

Këto janë të gjitha vendimet:

Themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës në këtë përbërje:

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesues;

Ministri i Mbrojtjes, anëtar;

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtare;

Ministrja e Drejtësisë, anëtare;

Ministri i Punëve të Brendshme, anëtar;

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal anëtar; dhe

Përfaqësues, Zyra e Kryeministrit, anëtar.

Emëruar Ridvan Hotin në pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv për trajnimin e të burgosurve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Emëruar Irfan Lipovicën në pozitën e drejtorit të përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit. Me 89.9 pikë, z. Lipovica është renditur si kandidati me më së shumti pikë të grumbulluara.

Aprovuar analizën juridike për thjeshtimin, bashkimin ose eliminimin e lejeve, ose licencave të lëshuara në kuadër të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Autoritetit të Hekurudhave të Kosovës, Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Autoritetit Rregullativ të Shërbimeve të Ujit, Komisionit të Pavarur për Media dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Anuluar në mënyrë të pjesshme vendimin përfundimtar Nr. 06/98 të datës 18 prill 2019, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare ndërtimit të rrethrrotullimit të nevojshëm e të përshtatshëm për qytetarët sipas elaboratit të ri të shpronësimit për Qarkohet të Drejtorisë për Kadastër të Gjilanit.

Miratuar Raportin e Përgjithshëm vjetor mbi Inspektimet.

Aprovuar Udhëzuesit për Inspektimet e Përbashkëta. Inspektimet e përbashkëta luajnë rol vendimtar në avancimin e mbikëqyrjes ligjore dhe promovimin e pajtueshmërisë me standardet rregullative. Qëllimi kryesor është racionalizimi i burimeve duke garantuar interesin dhe të mirën publike.

Plotësuar dhe ndryshuar vendimin e Qeverisë Nr. 11/2025 të datës 21.03.2025 për emërimin e komisionit ad hoc për vlerësimin profesional për pranimin në pozitat e larta drejtuese në Agjencitë Ekzekutive të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me këtë plotësim-ndryshim, kryesuesja e këtij komisioni, Afërdita Bekaj, zëvendësohet me Lumnije Demin.