Shifra alarmante, katër të vdekur nga armët e zjarrit për tri ditë në Kosovë

Katër persona kanë vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, në tri raste të ndara, në tri ditët e fundit në Kosovë.

Më 23 mars vdiq një 19-vjeçar në Vushtrri. Dorasi dyshohet të jetë një bashkëmoshatar i tij. Ai është në paraburgim dhe e ka pranuar fajësinë.

Një ditë më pas po në Vushtrri ndodhi një vrasje e dyfishtë. Një burrë dyshohet se vrau një grua dhe më pas i dha fund jetës së tij. Ky rast ndodhi në fshatin Stanoc.

Pa kaluar mirë disa orë nga tragjedia, mbrëmë një person rreth të 60-ve vdiq në Prishtinë pas plagëve të marra nga të shtënat që ndodhën në rrugën “Rrustem Hyseni”.

Në këtë rast u plagos edhe një person tjetër, që sipas mjekëve, është në gjendje stabile.

Policia ka njoftuar se kanë qenë dy persona të armatosur dhe me maska, të cilët kanë shtënë me armë në drejtim të viktimës dhe të plagosurit.