Gjakprishurit...

Ka disa ditë që ardhja e kapitenit të U-21 të Kosovës te Shqipëria... Etnik Brruti ka ngjallur debate e polemika të shumta, që fatkeqësisht po dalin edhe përtej futbollit.

Gjuhë gati-gati urrejtje të ndërsjellë mes vete shqiptarësh, që për mua nuk ka asnjë lloj justifikimi nga të dyja palët.

Në Kosovë djaloshin Etnik Brruti, ëndrra e të cilit është të luajë për Kombëtaren e tij, e cilësojnë tradhtar dhe harrojnë se kur një shqiptar luan për Shqipërinë, fjala tradhtar është më neveritësja që mund t’i adresohet dikujt.

Në Shqipëri Etnikun ende pa bërë ndeshjen e parë kuqezi kanë zënë ta quajnë super-talent e gati-gati heroi i ardhur në kohen e duhur e në vendin e duhur.

Madje në Tiranë ka plot edhe nga ata gjuhëgjatët kokëboshë që të paguar e të urdhëruar nga Duka e pse jo edhe nga vetë Rama si puna e atij famëkeqit “profesor Xhoda” (Xh. Zeka) që duke bërë kinse rolin e patriotit ... shajnë e sulmojnë Kosovën e deri edhe vetë Albin Kurtin ... sa herë që t’u jepet mundësia e sa herë që marrin urdhra nga padronët e tyre po shqipfolës.

Në fakt në gjithë këtë histori aspak mirëkuptuese, të pakëndshme e aspak dashamirësie, korrektese e respekti reciprok, fajtorët kryesorë sipas meje janë pikërisht 2 presidentët e federatave përkatëse të futbollit, Duka në Tiranë e Ademi në Prishtinë.

Janë pikërisht këta mafiozë futbolli e jo drejtues futbolli që për interesat e tyre të pista e personale kanë vite që po e shkatërrojnë futbollin shqiptar si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri dhe duam apo s'duam ta pranojmë ne që të dy po fusin në mes politikën e ndyrë dhe urrejtjen mes shqiptarëve, aq sa edhe armiqtë e tyre shekullorë serbët nuk po duan ta besojnë dot këtë lloj historie gjakprishurish shqiptarë.

Ka plot trajnerë e lojtarë të Shqipërisë që luajnë në Kosovë, sikurse ka plot shqiptarë të Kosovës që luajnë në Shqipëri e veçmas edhe për Kombëtaren e Shqipërisë... ku është e keqja këtu... pse duhet t’i quajmë tradhtarë apo edhe heronj të parakohshëm?

Ahhhh po ... e mira do ishte që tani për tani e meqenëse jemi të ndarë padrejtësisht pikërisht nga ajo farë Evrope drejt së cilës një Zot e di pse po nxitojmë t’i bashkohemi në kësi farë lloj turra vrapi idiot... e mira do të ishte të mos i prishnim pune njëri-tjetrit, ani pse idealja do ishte që të kishim një Kombëtare të vetme Kuq e Zi... që të na përfaqësonte të gjithëve ... krejt Shqipërinë Etnike e krejt shqiptarinë në mbarë botën.

Në Tiranë krejtësisht për interesa të ngushta e të pista personale me Dukën luftën e Kosovës kundër Shqipërisë e paraprin kryeinjoranti Shakohoxha, personi që kur ndodhi tmerri i ndeshjes së Beogradit ... Serbi - Shqipëri 11 vjet më parë pozonte me ushtarët serbë pranë një tanku të tyre që kish rrethuar stadiumin ... ku po keqtrajtoheshin nga banditët e kriminelët serbë pikërisht lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë ...

Në Kosovë gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve të Shqipërisë e ka më të helmuar se të Nepërkës i pari gazetari beniamin i Ramës e ai qe ç’nuk bëri në zgjedhjet e fundit që Albin Kurti të mos ishte fitues... Berat Buzhala.

Pas tij e në të njëjtën linjë qëndrojnë edhe filoserbi H. Matoshi që nuk e di se ku e gjen guximin dhe s’e di se si e lejojnë në studiot TV shqipfolëse t’u turret Shqipërisë e shqiptarëve asisoj sa edhe serbi më armik yni do ta kishte zili.

Është për të vënë duart në kokë e për të mos u harruar kurrë qëndrimi skandaloz e urrejtja publike që shfaqte në çdo dalje të tij në TV njëfarë Ismet Munishi, teksa sulmonte, shante e fyente trajnerin shqiptar të Shqipërisë Ilir Daja kur ky i fundit drejtonte skuadrën e Ballkanit të cilën e shpalli disa herë kampione të Kosovës e mbi te gjitha e futi 2 a 3 herë edhe në grupet e Kupave të Evropës... duke regjistruar kështu suksesin më të madh historik të futbollit kosovar deri më sot.

Që Shqipëria ... FSHF-ja e Duka janë sjelle jo keq, por poshtërsisht me Kosovën, futbollin e futbollistët e saj (së shpejti për këtë temë do të bëj publik një shkrim timin mbushur me fakte kokëforta e tronditëse) kjo dihet e këtë nuk mund ta kundërshtojë dot tashmë as rrogëtari e mbrojtësi më fanatik i vetë Dukës.

Por problemi shtrohet më gjerë e më thellë ... pse pikërisht futbolli që duhet t’i bashkojë e vëllazërojë shqiptarët e të dyja anëve të kufirit e në një perspektivë të afërt të synojnë e ta bëjnë realitet ëndrrën e tyre kombëtare ... Një Komb - Një Kombëtare... po i armiqëson ata mes vete si kurrë më parë në historinë e tyre...

Jam më se i sigurt që pas këtyre historive sa të pista, po aq edhe të turpshme qëndrojnë pikërisht ata të cilët më të drejtë e me plot gojën unë i quaj ashtu siç e meritojnë dhe siç janë në të vërtetë ... Gjakprishurit!