Fyerjet e Kurteshit ndaj gazetarëve, Rexha: Në kushte normale, do të duhej ta thërriste prokurori

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka folur në lidhje me fyerjet e gazetarëve nga anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i cili gjatë një pyetje drejtuar atij nga gazetarja e Gazeta Nacionale, Besarta Hoti, Kurteshi është përgjigjur me fjalët: “Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë”.

Rexha u shpreh se Kurteshi duhet të mbahet sa më larg publikut, sepse sipas tij, në secilin moment bën deklarata të tilla.

“Mendim person, jo domosdoshmërisht i AGK-së është që z. Kurtrshi duhet të mbahet sa më larg publikut. Z. Kurteshi nuk duhet të paraqitet në publik nga Vetëvendosja, të ketë komunikim me njerëz, sepse në secilin moment, siç e bën edhe në KQZ, siç e bën me gazetarët, bën të tilla deklarata që janë absolutisht skandaloze”, u shpreh ai.

Rexha tha gjithashtu se në kushte normale, Kurteshin do të duhej ta thërriste prokuroria, përcjell Klankosova.tv.

“Nuk e dyshoi që e mendon, sepse e tha aty kur ishte i rrethuar me njerëz, unë po them që ai do të duhej të reflektonte disa orë më vonë që ta shoh seriozitetin e deklaratës së tij. Pra, ideja ime është që ai nuk është i vetëdijshëm mbase, por besoj se është për seriozitetin e deklaratës së tij, implikimet e deklaratës së tij”.

“Në kushte normale, prokuroria do të duhej ta thërriste z. Kurteshin dhe ta marrë në pyetje, kush është ky pronar që është vrasës me pagesë, cilat janë faktet që dikush e quan dikë në opinion publik, vrasës me pagesë”, u shpreh tutje ai.