E rrahën një person në Ferizaj, vetëdorëzohen në polici tre të dyshuarit
Tre persona janë arrestuar pasi kanë sulmuar fizikisht një person duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore më 08.03.2025 rreth orës 10:30 në rrugën “Kruja”, në Ferizaj.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se të arrestuarit janë: S. A, 54 vjeç, A. A, 50 vjeç, M. A, 28 vjeç.
“Me datën 08.03.2025, rreth orës 10:30 në rrugën ‘Kruja’ në Ferizaj, katër të dyshuar meshkuj, kosovarë kanë sulmuar fizikisht me mjete të forta personin B. V, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Ai pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Ferizaj, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ndërsa të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur dhe ishin në kërkim policor. Ndërkaq, siç bëhet e ditur në njoftim pas hetimeve të Njësitit të Hetimeve të stacionit policor në Ferizaj, me datën 11.03.2025 janë dorëzuar në polici tre nga të dyshuarit: S. A, 54 vjeç, A. A, 50 vjeç, M. A, 28 vjeç”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, siç bëhet e ditur në njoftim nën autorizimin e prokurorit të shtetit dhe në praninë e avokatit mbrojtës, të dyshuarit janë intervistuar dhe janë ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ” Lëndim i rëndë trupor”.