Admirali Dragone lavdëron përkushtimin e palëkundur të KFOR-it: Vazhdojnë ta ruajnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë që nga viti 1999

Admirali Giuseppe Cavo Dragone, Kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s (CMC), ka qëndruar dje në Kosovë bashkë me delegacionin e udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Cavo Dragone, në një postim në platformën X, tha se e kanë lavdëruar përkushtimin e palëkundur të të gjithë personelit të KFOR-it, të cilët, tha ai, vazhdojnë ta ruajnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë që nga viti 1999.

“Nën udhëheqësinë aktuale të Enrico Barduaniit, KFOR-i garanton ambient të sigurt, duke nxitur një Kosovë multietnike dhe demokratike”.

“Vlerësim i veçantë për Ekipin Ndërlidhës dhe Këshillues të NATO-s, tani të udhëhequr nga gjenerali Christian Nawrat, për rolin e tyre kryesor në këshillimin dhe mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke rritur stabilitetin rajonal. Jemi krenarë për ju! Vazhdoni punën e jashtëzakonshme”, potencoi Admirali Giuseppe Cavo Dragone.