Dinari serb i ndaluar në rregullore, i pranuar në treg
Tash e një vit Kosova e nxori jashtë ligjit dinarin serb, por në veri të vendit, paraja e gjen rrugën. Ndërsa bankat e refuzojnë, dyqanet dhe shitësit ende e pranojnë - disa më hapur, të tjerët më në hije. Për shumë qytetarë, ndalesa nuk i ka ndaluar transaksionet, thjesht i ka bërë më të komplikuara.
Miki, një shitës ambulant i pemëve dhe perimeve, ka të ngritur stendën e tij në qendër të Mitrovicës së Veriut - njërën prej katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Shitjen e produkteve të tij thotë se e bën në çdo valutë të mundshme.
“Çfarëdo që të më japin... të gjitha shkojnë - dollari, franga, euroja, por edhe dinari. Nuk ka problem. Në treg nuk është i ndaluar. Nëpër shitore, nuk e di... Nuk e ka ndaluar askush deri më tash. Mbase, në banka po”, thotë Miki për Radion Evropa e Lirë.
Bankat në Kosovë - duke përfshirë veriun e vendit - nuk bëjnë transaksione financiare me dinarë të Serbisë.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila i ndalon pagesat me valuta të tjera pos euros, hyri në fuqi më 1 shkurt, 2024, ndërsa periudha transitore për zbatimin e saj përfundoi më 13 maj të atij viti.
Institucionet financiare të Serbisë në veri, ndërkohë, u mbyllën, ndërsa u hapën degë të bankave të Kosovës.
Kjo i dha fund praktikës gati 25-vjeçare të përdorimit të dinarit në atë zonë.
Miki thotë se dinarët që i mbledh nga shitja, i tubon dhe me to shkon në Rashkë - qytet kufitar në Serbi - për t’i konvertuar në euro.
“Deri në 10 mijë euro mund t’i bart përtej kufirit pa probleme [ligjore]. Por, unë nuk arrij t’i bëj 10 mijë euro qarkullim as për dy muaj”, thotë ai.
Në vitrinat e disa shitoreve në Mitrovicë të Veriut, të cilat i vizitoi ekipi i REL-it javën e parë të marsit, figurojnë ende çmime me dinarë.
Megjithatë, në një dyqan me produkte të konsumit të përditshëm, në afërsi të sheshit “Mbreti Llazar”, pronari thotë se pagesat me dinarë janë të ndaluara.
Edhe çmimet në atë biznes ishin me euro.
“Kush jep dinar, ne ua shndërrojmë [sipas çmimit në euro] dhe më pas i blejmë eurot”, thotë pronari, pa dashur të identifikohet.
Ai shton se “ka pranuar rrezikun që pagesat t’i pranojë edhe me dinarë, për shkak se nuk do që t’i largohen klientët”.
Shumë nga klientët e tij, por edhe banorë të tjerë të zonës, në pamundësi që në bankat e Kosovës të marrin paga, pensione apo përfitime të tjera nga buxheti i Serbisë, shkojnë në Rashkë.
Në atë qytet, autoritetet serbe kanë vendosur bankomatë dhe kanë hapur pika postare, ku qytetarët serbë mund t’i tërheqin përfitimet e tyre në dinarë.
Përveç institucioneve financiare, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur edhe të tjera që kanë funksionuar brenda sistemit të Serbisë në Kosovë, por disa - si ato në shëndetësi e arsim - vazhdojnë punën.
Radio Evropa e Lirë pyeti Administratën Tatimore të Kosovës se a ka bërë dhe a vazhdon të bëjë inspektime në dyqanet në veri të Kosovës, në lidhje me përdorimin e dinarit serb, dhe cilat janë rezultatet e atyre inspektimeve. Por, pas më shumë se një javë pritjeje, ky institucion nuk ktheu përgjigje.
Dogana e Kosovës, ndërkaq, ka njoftuar disa herë se ka ndaluar hyrjen e dinarëve nga Serbia në Kosovë, me arsyetimin se nuk e ka miratimin e BQK-së.
Me dy kartela bankare - të Serbisë dhe të Kosovës
Rada, nga Mitrovica e Veriut, tregon për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë del për të blerë produktet e nevojshme - herë në dyqane, herë nga shitësit ambulantë që gjenden në afërsi të sheshit “Mbreti Llazar”.
Ajo thotë se merr dy pensione - njërin nga Serbia në dinarë dhe tjetrin nga Kosova në euro.
Ka dy kartela bankare - njërën të një banke në Serbi për t’i tërhequr dinarët dhe tjetrën të një banke në Kosovë për tërheqjen e eurove.
Ajo thotë se blerjet i bën edhe me euro, edhe me dinarë.
“Çfarëdo që të më gjendet në kuletë - nuk është me rëndësi a janë dinarë apo euro. Vetëm ua jep paratë dhe gjithçka në rregull”, thotë 77-vjeçarja.
E sa u përket shërbimeve të tjera, Rada thotë se pagesa dallon.
“Telefonin e paguajmë me dinarë. Energjinë elektrike e paguajmë me euro. Largimin e plehrave e paguajmë me dinarë...”, thotë Rada.
Dy kartela bankare, të Kosovës dhe të Serbisë, ka edhe Mishko Bojiq.
Ai e merr pensionin e pleqërisë nga Kosova në euro dhe pensionin nga Serbia në dinarë.
Për këtë të fundit thotë se shkuarja çdo muaj në Rashkë, është bërë e mundimshme.
“Paguajmë karburantet ose autobusin... Nganjëherë presim me nga dy-tri orë në kufi”, thotë Bojiqi.
Ai, po ashtu, tregon se pjesën më të madhe të dinarëve duhet ta konvertojë në euro, pasi që shërbimet që i merr nga institucionet e Kosovës, duhet t’i paguajë në këtë valutë.
“Situata që e ka krijuar Qeveria e Kosovës, që të mos përdoret dinari, është politikë dhe nuk është në rregull”, sipas tij.
Çka thotë BQK-ja?
Banka Qendrore e Kosovës “nuk ka një analizë në dispozicion, lidhur me llogaritë e hapura dhe shërbimet në bankat e licencuara në veri të vendit”.
Kështu iu përgjigj ky institucion interesimit të Radios Evropa e Lirë në lidhje me numrin e llogarive bankare, të hapura nga qytetarët në veri të Kosovës, dhe kërkesat e tyre për shërbime bankare.
BQK-ja thekson vetëm se shërbimet financiare, tash e një vit, “ofrohen prej institucioneve financiare të licencuara dhe mbikëqyrura nga BQK-ja”.
“Është vendosur kontroll i plotë i rrjedhës monetare brenda vendit, që i ka kontribuar rritjes se integritetit të sektorit financiar, reduktimit të rrezikut për financim të paligjshëm si dhe qasjes në shërbime te sigurta për të gjithë qytetarët”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Aty, po ashtu, theksohet se nga fundi i vitit 2023, numri i institucioneve financiare, të cilat janë licencuar për të ushtruar aktivitetin e tyre në katër komunat veriore të vendit, “gati se është trefishuar”.
“Deri në gusht të vitit 2023, numri i përgjithshëm i zyrave të institucioneve financiare në veri të vendit, ishte 17 - prej të cilave katër ishin zyra bankare, dy nga to në pikat kufitare. Me të dhënat aktuale, ky numër i përgjithshëm ka arritur në 46, prej të cilave 12 janë zyra bankare”, bën të ditur BQK-ja.
Sipas BQK-së, prania bankare në veriun e Kosovës përfshin banka vendore dhe ndërkombëtare.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua disa prej tyre - përfshirë Raiffeisen Bank - për t’i pyetur se a janë shtuar aktivitetet bankare të qytetarëve në veri, por nuk mori përgjigje.
Rrjedhat monetare, “të zhvendosura”
Nga organizata joqeveritare Qendra për Veprim Afirmativ Social (CASA), që funksionon në Mitrovicë të Veriut, thonë se që nga vendimi i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar dinarin serb, qasja te paraja e qytetarëve serbë që jetojnë në veri të Kosovës, është vështirësuar.
Kjo për faktin se, siç thonë, shumica e të ardhurave që marrin qytetarët e kësaj zone, vijnë nga buxheti i Serbisë, i cili pagesat i bën me dinarë.
Drejtuesi i CASA-s, Boban Simiq, flet më shumë për arsyet:
“Për shembull, për fëmijët që i kam në çerdhe, duhet të paguaj në sistemin serb. Pagesën e çerdhes nuk mund ta bëj me euro, më duhet ta bëj me dinarë. Por, këtë pagesë unë nuk mund ta bëj këtu”, thotë Simiq, duke shtuar se për të dhe pagesa të tjera të ngjashme shkon në Rashkë.
Sipas tij, kjo nënkupton edhe zhvendosjen e rrjedhës monetare nga një vend në tjetrin - gjë që, siç thotë, e bën të pakuptimtë qëllimin e autoriteteve të Kosovës për ndalimin e dinarit serb.
“Jemi dëshmitarë që Prishtina, edhe më tej, nuk ka mundësi t’i mbikëqyrë rrjedhat monetare. Nuk ekziston ajo mundësi, sepse ato janë zhvendosur. Nuk janë më këtu”, thotë Simiq për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se rrugëdalje e vetme nga kjo situatë do të ishte një marrëveshje ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, në nivelin teknik, që do të mundësonte regjistrimin e ndonjë institucioni financiar të Serbisë në sistemin e Kosovës.
Këtë ide që është përmendur edhe më herët, autoritetet e Kosovës e kanë kundërshtuar, duke thënë se synim është shtrirja e autoritetit të tyre në çdo pjesë të Kosovës.
Heqja e dinarit, megjithatë, ka nxitur reagime të shumta nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare, për faktin se komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, ka pranuar pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia.
Çështja i ka lëkundur edhe raportet e Kosovës me disa aleatë perëndimorë, të cilët i kanë kërkuar pezullimin e rregullores së BQK-së derisa qytetarët e prekur të përshtaten me praktikën e re.
Por, autoritetet në Kosovë nuk kanë lëshuar pe, ndërsa disa takime mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, në përpjekje për të arritur ndonjë marrëveshje për çështjen, kanë përfunduar pa sukses. /REL