Arrestohen dy persona, dyshohen se vodhën xhamitë në fshatrat e Lipjanit

Dy persona janë arrestuar, pasi dyshohen se kanë lidhje me disa raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura nëpër disa xhami në fshatrat e Lipjanit.

Sipas Policisë, rastet ishin denoncuar përgjatë vitit 2024 dhe 2024, ku dyshohej se të njëjtët kishin vjedhur gjësende të ndryshme e në disa raste kishin dëmtuar dhe asgjësuar edhe pasuri në objektet e xhamive.

“Që nga deponimi i denoncimeve, Policia në vazhdimësi ka ndërmarrë një varg veprimesh hetimore e operative me qëllim të ndriçimin e rrethanave të ngjarjeve, si dhe identifikimin e të implikuarve”.

“Progresi i hetimit të rasteve rezultoi me identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve; J. H, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe L. K., mashkull, 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej, Policia tha se me rekomandimin e prokurorit të Shtetit, të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tyre ka nisur hetimi për veprat penale “Vjedhje”, “Vjedhje e rëndë”, si dhe “Asgjësim ose dëmtim i pasurisë”.