Cakolli: Problem me parregullsitë në numërimin e votave janë vetëm ata që i numërojnë, e domosdoshme të digjitalizohet procesi
Problemi me parregullsitë në numërimin e votave nuk qëndron te mënyra e as te vendndodhja e numërimit, por tek ata që i numërojnë, thotë Eugen Cakolli, nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.
Ai shkroi në Facebook se si: “në vitin 2023 partitë politike ishin pajtuar që numërimi i votave të zhvendosej në qendrat komunale të numërimit, për të shmangur manipulimet nga komisionerët”.
Megjithatë, ai kujton se: “pavarësisht kamerave, televizorëve, vëzhguesve, kostos dukshëm më të lartë dhe vonesave në përpunimin e rezultateve, këto zgjedhje po tregojnë se problemi vazhdon”.
“Nga rinumërimi i votave të kandidatëve të LDK-së në Vushtrri, vetëm në 15 nga 96 vendvotimet e kësaj komune, nuk ka pasur dallime në vota. Ndërkaq, në plot 35 vendvotime, diferencat janë mbi 10 vota. Edhe nëse nuk vërtetohet në asnjë komunë tjetër, ky rast tregon se problemi nuk qëndron as tek mënyra dhe as te vendndodhja e numërimit, por tek ata që numërojnë dhe procesojnë rezultatet. Prandaj, është e domosdoshme që të largohemi nga numërimi dhe përpunimi manual i votave”, shkroi Cakolli.
Një zgjidhje mund të jetë digjitalizimi i numërimit përmes skanimit të fletëvotimeve, të plotësuara me kimik unik – opsion që garanton integritetin por edhe shpejtësinë e procesit, thotë ai.