Rubio: Përfundon spastrimi i USAID-it, eliminohen 83% të programeve

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha të hënën se administrata “Trump” ka përfunduar një spastrim gjashtëjavor të programeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), duke eliminuar 83% të tyre, ndërsa 18% e programeve të mbijetuara do të kalojnë nën Departamentin e Shtetit.

Rubio e bëri njoftimin përmes një postimi në rrjetin social X, në një nga deklaratat e tij të rralla publike mbi këtë ndryshim historik në politikën amerikane të ndihmës së huaj dhe zhvillimit, i cili u realizua nga të emëruarit politikë të Trumpit në Departamentin e Shtetit dhe ekipet e Elon Muskut në Departamentin e Efikasitetit Qeveritar (DOGE), njofton AP.

Në postimin e tij, Rubio tha: “Falënderoi DOGE dhe stafin tonë punëtor që punuan shumë gjatë për të arritur këtë reformë historike dhe të vonuar në ndihmën e huaj”.

Presidenti Donald Trump, më 20 janar, lëshoi një urdhër ekzekutiv që ndalonte përkohësisht financimin e ndihmës së huaj dhe urdhëroi një rishikim të të gjitha programeve të zhvillimit jashtë vendit, që kapnin dhjetëra miliarda dollarë. Trumpi argumentoi se një pjesë e madhe e këtyre fondeve ishte e shpërdoruar dhe favorizonte një agjendë liberale.

Në postimin e tij të së hënës, Rubio deklaroi se ky rishikim tani ka “përfunduar zyrtarisht”, me rreth 5.200 nga 6.200 programet e USAID-it të eliminuara. /rtk