KQZ-ja vendos të rinumërohen 50 vendvotime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të rinumërohen votat për subjektet politike të 50 vendvotimeve, 15 prej të cilave u takojnë komunave të ndryshme, ndërkaq 35 të tjera vetëm të komunës së Vushtrrisë.
Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani tha se rekomandimi i parë vjen pas rekomandimit nga QNR-ja, në të cilën, gjatë pranimit të rezultateve nga Qendrat Komunale të Numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe krahasimit të statistikave në 15 vendvotime është hasur mospërputhje e numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve dhe numrin e fletëvotimeve brenda në kuti të votimit.
Ndërkaq, sipas vendimit tjetër, KQZ-ja vendosi për të rinumëruar plotësisht votat e të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve nga 35 vendvotime që i takojnë komunës së Vushtrrisë.
“Për verifikimin e disa kutive të votimit. Janë identifikuar 15 vendvotimi qe ka pasur mospërputhje të nënshkrimeve. Këto 15 vendvotime është rekomanduar që të procedohet për një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike. Një rekomandimi i dytë është me raportin që kemi pranuar për rezultate e kandidatëve të LDK-së të dalë nga vendvotimet e Vushtrrisë, këtë raport të ndryshimeve mes rezultateve, 35 vendvotimi për të cilat vërehet diferenca e kandidateve të hedhen në rinumërim, 35 vendvotime të rinumërohen plotësisht për gjitha subjektet politike dhe kandidatët”, ka thënë Elshani.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka thënë se Sekretariati është gati që të fillojë rinumërimin e këtyre vendvotimeve.
“Sekretarit është gati që sot pas dite të filloj rinumërimin. Sa i përket vlerësimit të kutive të votimit të Kosovës që janë 177 gjitha, dje kemi pranuar vendimin e PZAP-it, nesër mund të fillojmë me hapjen e 177 kutive me qëllim të vlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, ose të mërkurën në mëngjes”, ka thënë ai.