Hargreaves: Me më shumë gra në qeverisje ka më shumë transparencë
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në fjalën e tij gjatë prezantimit të Rrjetit të Grave në pozita vendimmarrëse në administratë publike dhe institucione të pavarura, tha se në Kosovë është bërë arritje e madhe, e posaçërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e grave, fuqizimin, por edhe në mënyrë të veçantë, agjencitë dhe dikasteret e ndryshme. Sipas tij, më nuk bëhet fjalë vetëm për çështje të barazisë, por edhe të cilësisë në mënyrën e vendimmarrjes dhe udhëheqjes.
Megjithatë, tha ai, fatkeqësisht pozitat kryesore të cilat ekzistojnë udhëhiqen nga meshkujt.
“Pra nga 38 pozitat e kryeshefave ekzekutivë, vetëm 7 janë gra”, tha diplomati britanik.
Por, sipas tij, kur bëhet fjalë për emërimin e grave në ndërmarrje, janë diku rreth 40 për qind, e që sipas tij është arritje shumë e mirë.
“Pse është kjo me rëndësi, jam i bindur se të gjithë e dini përgjigjen për këtë. Është me rëndësi për ju, për familjet tuaja, por mbi të gjitha është për të pasur barazi në qeverisje. E dimë që nëse ka më shumë përfaqësim të grave në qeverisje, qeverisja është më transparente, ato kanë më pak gjasa të korruptohen e janë më të vëmendshme ndaj nevojave të grave”, tha Hargreavesi.
Ambasadori tregoi se gjatë muajve të fundit ka qenë shumë i interesuar të kuptojë ndikimin që ka bërë puna e Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve të shumta me rekrutim mbi baza të meritës, e që sipas tij e ka përmirësuar mundësinë e përfshirjes së grave në punësim në institucione publike.
“Dhe më duket se kur ka procese të drejta dhe transparente në rekrutim, atëherë mund të emërohen e caktohen gra edhe në pozita udhëheqëse, sikurse auditore, sekretare të përgjithshme, kryetare të bordeve të ndërmarrjeve”, tha ai, shkruan rtklive.
Britaniku tha se megjithatë, ka prapë shumë barriera për gratë.
“Problemi më i madh që e dëgjoj këtu është se gratë që i kanë thyer barrierat e janë në pozita të larta, nuk duan të qëndrojnë aty, ato shpesh lëshojnë punën për shkak të mungesës së përkrahjes apo rrethit ku ka akoma mizogjini”, tha Hargreavesi.