Ankthi i listave në PS, Rama paralajmëron reformim të thellë të Grupit Parlamentar

Në mbledhjen e mbajtur këtë të diel në Vilën Qeveritare 30, mes kryesocialistit Edi Rama dhe drejtuesve politikë të PS në qarqe, është paralajmëruar një reformim i thellë i Grupit Parlamentar të të majtëve.

Kjo pasi, në listën e mbyllur, kreu i socialistëve do t’u japë më shumë prioritet grave dhe vajzave, dhe siç ka deklaruar edhe më herët, deputetët e PS që kanë më shumë se dy mandate do të jenë në listë të hapur, duke u lënë edhe mundësinë që të garojnë për ulësen e tyre në sallën e seancave plenare.

Kështu, më shumë se 50% e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste pritet që të ndryshojë.

Pas takimeve dy-ditore ne Pallatin e Brigadave, Rama takoi sot kokë më kokë drejtuesit politikë për listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste.

Për më shumë se tre orë ne Vilen Qeveritare Nr. 30, Kryeministri priti, Blendi Klosin që drejton Dibrën, Mirela Kumbaron që drejton Gjirokastrën, Ulsi Manjen si drejtues politik të Lezhës, Emirjana Sakon për Durresin, Benet Becin për listën e Shkodrës, Bledi Çuçin për Vlorën dhe Niko Peleshin, i cili drejton qarkun e Korçës.

Pas pushimit të drekës takimet vijuan me drejtuesit e tjerë në qarqe.

Belinda Balluku që drejton Fierin, Eduard Shalsi i Kukësit, Ogerta Manastirliun dhe Elisa Spiropalin e Tiranës, Ervin Demo i Beratit dhe Arbjan Mazniku i Elbasanit.

Të deleguarit politikë ia kanë dorëzuar Ramës listën, por në këto takime janë diskutuar të gjithë emrat, si ato në listë të hapur, ashtu dhe ato në të mbyllur.

Rama ndërkohë mendohet se do të kandidojë në listë të hapur në Tiranë.

Takimet me drejtuesit politikë kryesocialisti i përfundoi rreth orës 18.00 dhe e fundit që u largua nga vila qeveritare ishte Elisa Spiropali.

Për t’i vendosur vulën e ekipit socialist të 11 majit do të duhet te mblidhet Kryesia që më pas të dorëzohen në KQZ brenda datës 12 mars. Kryesia e Partisë Socialiste mblidhet ditën e mërkurë në orën 12:00 duke mos prishur kështu tradiën e ditës së fundit.