Hamza: Institucionet e reja të krijohen pa vonesa, është përgjegjësi jona t’i respektojmë afatet ligjore

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka falënderuar të gjithë qytetarët që e kanë votuar atë dhe partinë e tij.

Ai theksoi se meqë procesit zgjedhor i ka ardhur fundi, rendi është të krijohen institucionet e reja pa vonesa, raporton Zeri.info.

Hamza u shpreh se për krijimin e institucioneve duhet respektuar afatet ligjore dhe të jetë një proces sa më transparent.

“Procesi zgjedhor po shkon drejt fundit dhe ditëve të ardhshme presim të certifikohen edhe rezultatet zgjedhore.

Deputetëve të zgjedhur të të gjitha subjekteve politike iu dëshiroj suksese në punën e tyre. Nga mandatet e fituara buron edhe detyra e shenjtë për t’u shërbyer me ndershmëri dhe përgjegjësi atyre që besuan te secili i zgjedhur.

Faleminderit mbi 196 mijë qytetarëve që besuan te Partia Demokratike e Kosovës. Faleminderit për mbështetjen që na e keni dhënë për ta bërë Kosovën më të mirë.

Institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa dhe është përgjegjësi jona t’i respektojmë afatet ligjore dhe të jemi transparentë.

Së bashku duhet t’i mbrojmë vlerat që na bashkojnë, interesin publik dhe vendin tonë!”, theksoi ai në një postim në Facebook. /Zëri