Mbyllet sërish seanca ndaj ish-zyrtarit të AKI-së

Edhe seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar e mbyllur për publikun në rastin ku Muhamed Krasniqi, ish-zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), akuzohet për instalimin e jashtëligjshëm të programeve kompjuterike me qëllim monitorimin e pajisjeve të tjera brenda institucionit.

Këtë vendim e mori kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi, për të ruajtur sigurinë kombëtare dhe fshehtësinë zyrtare.

Sipas aktakuzës, Krasniqi akuzohet për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës zyrtare, hyrjen e paautorizuar në sistemet kompjuterike dhe zbulimin e informacioneve të klasifikuara.

Edhe seanca e 7 shkurtit 2025 ishte mbyllur për të njëjtat arsye.

Ndryshe, shqyrtimi i dytë për këtë rast ishte mbajtur në kundërshtim me ligjin, pasi që gjykatësi Foniqi kishte zhvilluar seancën në mungesë të të akuzuarit Krasniqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 23 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Muhamed Krasniqi, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Zbulim i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

Më 10 mars 2022, ish-zyrtari i AKI-së ishte deklaruar i pafajshëm për korrupsion dhe vepra tjera penale. /BetimipërDrejtësi