Jashari: Brenda kësaj qeverie ka njerëz anti-UÇK, të cilët e kanë fyer luftën
Me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tregoi arsyen e mosbashkëpunimit me Qeverinë.
“Ne si organizata kemi menduar që mos t’i fyejmë dëshmorët. Ne jemi për institucione, ne i çmojmë institucionet, por brenda kësaj Qeverie ka njerëz anti-UÇK të cilët e kanë fyer luftën dhe kanë tentuar ta njollosin dhe kanë bashkëpunuar me Gjykatën Speciale, ku sot padrejtësisht i kemi krerët e UÇK-së”, tha Jashari.
Jashari tha se fyerja më e madhe është kur Mimoza Kusari-Lila kërkon ndihmë nga Lista Serbe për t’i goditur veteranët nga e drejta e tyre.
“Përveç organizatës, do të ishte fyerje për familjarët e mi që i kam dëshmorë nëse bëj homazhe me ministren e Punëve të Jashtme e cila është deklaruar se ka deponuar dëshmi kundër krerëve të UÇK-së. Për neve është fyerje nëse bëjmë homazhe me ministrin Hekuran Murati i cili ka deklaruar se më mirë e më lehtë do të dilnim nëse paguanim mercenarë. Fyerja më e madhe është kur Mimoza Kusari-Lila kërkon ndihmë nga Lista Serbe për t’i goditur veteranët nga e drejta e tyre”, u shpreh Jashari.