Biblioteka Kombëtare hap ekspozitë për nder të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, sot, për nder të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, heroizmit dhe flijimit të komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, ka hapur ekspozitë kushtuar veprës heroike dhe rënies së tyre, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 11 mars.
Njoftimin për ekspozitën e ka dhënë BKK-ja në rrjete sociale duke bërë të ditur se në këtë ekspozitë janë paraqitur materiale nga fondi i Bibliotekës, gazeta të periudhës dhjetor 1991-mars 1998.
“Gjithmonë do ta kujtojmë me nderim dhe përulësi sakrificën e familjes Jashari dhe të të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Epopeja e UÇK-së është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit tonë. Ajo simbolizon rezistencën, sakrificën dhe luftën për liri. Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!”, thuhet në njoftim.