Shqipëri - Izrael, nga 2 prilli nisin fluturimet direkte
Nga 2 prilli, Shqipëria dhe Izraeli do të nisin fluturimet direkte të ndërsjella. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, në rrjetet sociale, sipas të cilës kjo do të jetë një mundësi bashkëpunimi mes dy vendeve që janë të lidhur nga historia.
“Duke nisur nga data 2 prill, Shqipëria dhe Izraeli do të lidhen direkt përmes fluturimeve të ndërsjella, duke zgjeruar kështu mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve që historia i ka lidhur ngushtë prej kohësh”.
Balluku thekson se në fluturimin e parë të inaugurimit do të vijnë në Shqipëri personalitete të fushave të ndryshme për të promovuar vendin si një atraksion turistik.
“Gjatë vizitës time në Izrael takova Dina Ben-Tal Ganancia, Drejtoren e Përgjithshme të kompanisë ajrore kombëtare izraelite ELAL. Fluturimi inaugurues më 2 prill, do të sjellë në Tiranë personalitete të fushave të ndryshme nga sektori turizmit dhe showbiz, me fokus promovimin e vendit tonë si një atraksion turistik, më interesant për Evropën”. /A2Cnn