15-vjeçari kapet në flagrancë duke transportuar armë e municion ushtarak [video]
Policia e Mirditës ka arrestuar një 15-vjeçar, pas informacioneve të siguruara se ai po transportonte armë dhe municion luftarak.
Gjatë operacionit “Sinjali,” u arrestua 15-vjeçari E.S., banues në Burrel, i cili u kap në flagrancë në afërsi të fshatit Fang të Mirditës, duke transportuar 3 granata, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Sipas njoftimit të policisë, operacioni u realizua pas administrimit të informacioneve nga inteligjenca policore, të cilat kishin sinjalizuar për transportimin e armëve dhe armëve shpërthyese.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin e koduar “Sinjali”. Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë, në afërsi të fshatit Fang, shtetasi E.S., 15 vjeç, banues në Burrel, i cili po transportonte 3 granata, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, të cilës iu referuan materialet procedurale për rastin, po kryhen hetime për të provuar qëllimin e transportimit të këtyre sendeve nga 15-vjeçari, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë. /Zëri