Mjekja okuliste: 3 nga 10 fëmijë janë miopë si pasojë e përdorimit me orë të gjata të teknologjisë

Në çdo 10 fëmijë që shkojnë për kontrollin e syve tek okulisti, 3 prej tyre rezultojnë me probleme të miopisë.

Të gjithë nxënësit përpara fillimit të viti të ri shkollor janë të detyruar të bëjnë kontrollin e syve. Sipas mjekëve okulistë, ndonëse më parë ka pasur shumë fëmijë që vuanin nga hipermetropia, pra që shikonin më qartë objektet larg, tani fëmijët shfaqin më së shumti probleme me miopinë.

“Pas futjes së pajisjeve dixhitale, si telefona, tablet filloi të ndryshonte edhe trendi i problemeve të syve te fëmijët. Nga hipermetropia ne konstatuam që në vizitat e fëmijëve, 2 deri në 3 fëmijë dilnin me miopi ose me astigmatizëm miopik. Me rritjen e trupit të fëmijës ndryshon edhe boshti i syrit dhe ndryshon dhe problematika për shkak të lodhjes së muskujve të syrit. Kemi të bëjmë me sy të lodhur, me sy të irrituar, me sy që ankohen për tharje, me sy që mund të kenë dhe lotim të shtuar. Nëse fëmija ka filluar t'i qëndrojë televizionit shumë afër, kjo është shenjë e miopisë",shprehet mjekja okuliste Suzana Zhuka.

Mjekët okulistë e lidhin miopinë tek fëmijët me qëndrimin me orë të zgjatur përpara telefonit apo kompjuterit. Por sa kohë mund të qëndrojë një fëmijë përballë ekraneve të pajisjeve elektronike. Sipas tyre qëndrimi para pajisjeve elektronike duhet maksimalisht 30 minuta. Rrezatimi i pajisjeve elektronike ka një dëm të madh, të pariparueshëm për syrin.

Një herë në vit, nxënës të çdo moshe këshillohet të bëjnë kontrollin e shikimit./living.al