Rreth 30 mijë përdorues të substancave narkotike, në mesin e tyre edhe fëmijë 9-vjeç
Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët arrestohen nga Policia, pasi u kapën me substanca narkotike.
Një i tillë ndodhi edhe të mërkurën, kur në shtëpinë e një personi në Podujevë, zyrtarët policorë sekuestruan afër 133 gramë marihuanë.
E numri i përdoruesve të drogës aktualisht në Kosovë llogaritet të jetë rreth 30 mijë.
Sipas qendrës “Labyrinth”, një nga substancat më të përdorura është kokaina, shifra e të cilës, sipas tyre është rritur jashtëzakonisht shumë në tri katër vitet e fundit.
“Në vlerësimin tonë në Kosovë janë diku rreth 30 mijë përdorues të drogave, prej tyre rreth 10 mijë janë përdorues problematik apo përdorues të cilët janë të varur nga droga. Ne e kemi një detabazë ku e kemi 2850 persona të regjistruar që kanë ardh me kërku ndihmë në qendrën tonë”, thotë Muharrem Ademi nga qendra“LABYRINTH”.
Sipas Ademit, numri i përdoruesve të drogave çdo vit po shtohet.
“Çdo vit vjen duke u shtu numri i përdoruesve të drogave, sepse shumë më ngadalë shkon shërimi dhe kërkesat për trajtim, që do të thotë se dikush kur fillon të përdorë droga shkojnë 3 deri në 4 vite deri sa të sheh që ka filluar të bëhet problematike përdorimi i asaj droge dhe fillon kërkesa për trajtim”, thotë ai për Teve1.
Por, sipas sociologut Genc Xërxa, përdorimin e drogave kanë nisur edhe 9-vjeçarët.
“Është për keqardhje që mosha e abuzimit me drogë dalëngadalë nga 16-15 po bie dita ditës. Sipas drejtorit të klinikës së psikiatrisë tani aty trajtohen edhe fëmijë nga mosha 9 vjeçare, që janë abuzues”, thotë Xërxa.
Ai tregoi faktorët shtytës që ndikojnë në përdorimin e substancave narkotike.
“Së pari është gjendja familjare, situata emocionale, komunikuese dhe socioekonomike brenda familjes që është një prej indikatorëve, pastaj shoqëria, çfarë rrethi fëmija frekuenton dhe a ka predispozita që ai rreth tij të jetë i kriminalizuar apo abuzues i substancave narkotike”, shprehet ai.
Nga Policia e Kosovës bënë të ditur se gjatë vitit 2024, për posedim të narkotikëve u identifikuan 43 raste.
“Në vitin 2025 deri më tani është 1 rast “Posedim i paautorizuar i narkotikeve”, viti 2024 -17 raste – ‘Posedim i paautorizuar i narkotikeve’ dhe 1 rast ‘Blerje, posedim, shpërndarje te substancave narkotike’, viti 2024 -17 raste – ‘Posedim i paautorizuar i narkotikeve’ dhe 1 rast ‘Blerje, posedim, shpërndarje te substancave narkotike’ dhe viti 2023- 9 raste – ‘Posedim i paautorizuar i narkotikeve’’, thonë nga Policia.
Këto të dhëna nga Policia e Kosovës janë të bazuara vetëm në raportin e incidenteve që kanë ndodhur në shkolla dhe përreth tyre.