Kanada mbështet Ukrainën pas përplasjes së Zelensky me Trumpin
Duke shkruar në X, kryeministri kanadez Justin Trudeau thotë se “Rusia pushtoi Ukrainën në mënyrë të paligjshme dhe të pajustifikueshme”.
Ai shton: “Kanadaja do të vazhdojë të qëndrojë me Ukrainën dhe ukrainasit në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.” Zelensky i është përgjigjur postimit në Twitter me: “Faleminderit për mbështetjen tuaj”.
Ministrja e Jashtme Melanie Joly shton se ka qenë në kontakt me homologun e saj ukrainas, Andrii Sybiha dhe ka riafirmuar “mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për Ukrainën”, ka raportuar BBC.
Që nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhëniet e Kanadasë me Uashingtonin kanë qenë të tensionuara.
Trump po kërcënon të vendosë tarifa 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika të martën e ardhshme në përgjigje të asaj që ai e quan një nivel “të papranueshëm” të drogës që hyn në SHBA. Presidenti amerikan u tërhoq nga një kërcënim i mëparshëm për të vendosur tarifat në fillim të këtij muaji.
Ndërkohë, administrata e Trumpit ka bërë komente të përsëritura për aneksimin e fqinjit verior të SHBA-së, me presidentin duke iu referuar kryeministrit të Kanadasë si “Guvernatori Trudeau” dhe Kanadasë si “shteti i 51-të” në shumë raste.
Kanadaja ka diasporën e dytë më të madhe ukrainase në botë, pas vetëm Rusisë.