Reuters raporton për rrezikun e bizneseve kosovare, pas ngrirjes së fondeve nga USAID-i

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, ka publikuar një artikull në lidhje me rrezikun që u kanoset disa bizneseve kosovare nga ngrirja e fondeve të agjencisë amerikane për ndihma të jashtme, USAID.

Reuters e nis artikullin me një biznes të riciklimit në Fushë Kosovë që përfitoi nga fondet e USAID-it, dy vjet më parë, por tani çdo gjë ka ngecur.

Biznesi i riciklimit të Gashit në Fushë Kosovë u transformua kur mori pajisjet nga agjencia amerikane e ndihmës ndërkombëtare (USAID) dy vjet më parë, duke e shtyrë atë të hartonte plane për të punësuar më shumë punëtorë.

Por Gashi tani është i shqetësuar. Më shumë se një e treta e pajisjeve të premtuara me vlerë 130,000 dollarë ende nuk ka mbërritur. Dhe tani administrata e Presidentit Donald Trump ka ngrirë fondet e USAID-it dhe ka kërkuar të zvogëlojë në mënyrë drastike agjencinë e ndihmës dhe të gjithë ndihmën e huaj të SHBA-së.

Javën e kaluar, në një deklaratë për mediat, Trumpi përmendi donacionin e riciklimit në Kosovë, si një shembull të llojit të shpenzimeve qeveritare që ai dëshiron të shkurtojë.

“Ne presim që të mbërrijnë makineritë e tjera dhe kemi planifikuar ta rrisim fuqinë punëtore nga pesë në 20, por gjithçka është e pasigurt tani”, tha Gashi teksa hodhi pjesët plastike në një mulli të USAID-it me një afishe që shkruante “Riciklimi ka rëndësi”.

SHBA-ja ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës që kur vendi i vogël ballkanik u shkëput nga Serbia, duke ofruar 1.1 miliard dollarë ndihmë që nga viti 2001, sipas shifrave të qeverisë amerikane.

Nga GAP thanë për Reuters se USAID-i aktualisht po menaxhonte 17 projekte me vlerë më shumë se 156 milionë dollarë, por nuk është e qartë se sa nga këto janë disbursuar në të vërtetë.

Kosova është një nga vendet më të varfra në Evropë dhe mbetet në nevojë të madhe për ndihmë, thonë politikanët dhe banorët, shkruan tutje Reuters.

Ajo është dëmtuar nga tensionet e vazhdueshme etnike ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në veri. Reuters zbuloi se më shumë se një duzinë projekte ndihme me vlerë të paktën 150 milionë euro janë anuluar nga Bashkimi Evropian si rezultat i rolit të autoriteteve të Kosovës në ato tensione.

Në rrezik janë fondet që janë krijuar për të forcuar institucionet demokratike të Kosovës, për të përshpejtuar kalimin nga thëngjilli me ndotje të lartë në energjinë e rinovueshme dhe për të mbrojtur grupet e margjinalizuara.

Ata që kanë marrë fondet thonë se kjo ka një ndryshim për ta dhe komunitetin e tyre.

Një tjetër riciklues, Qazim Grashtica, 38 vjeç, që hulumton  kazanët e plehrave çdo ditë nëpër Prishtinë në kërkim të plastikës. USAID-i i siguroi atij traktorin e tij të vogël dhe një makinë që shtyp plastikën. Ndihma ka rritur të ardhurat e tij nga pesë euro në ditë në 20 euro në ditë.

“Para ndihmës së amerikanëve kishte raste kur 10 anëtarë të tjerë të familjes flinin pa darkë. Ne nuk kishim asgjë për të ngrënë,” tha Grashtica në punishten e tij të rrethuar me plastikë gati për t’u shitur.

“Unë do t’i them Trumpit ‘Ti je njeri i mirë, duhet të ndihmosh njerëzit, veçanërisht ata në Kosovë"’, thotë ai.