Në Hagë hapet ekspozitë për krime të luftës, me fotografi do të tregohen krimet serbe

Përmes një ekspozite me fotografi, në Hagë do të tregohen krimet serbe gjatë luftës në Kosovë. Për vizitorët, do të ketë edhe dëshmitarë të masakrave që do të rrëfejnë përjetimet e tyre.

Për tri ditë rresht, në hapësirat e ambasadës së Kosovës në Hagë do të mbahet një ekspozitë ku shfaqet gjenocidi serb në Kosovë.

“Pasqyrimi i masakrave dhe krimeve tjera nga lufta e fundit në Kosovë përmes ekspozitës me fotografi”, ka për qëllim sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për krimet serbe të kryera gjatë luftës.

“Kjo i tregon krimet ndaj njerëzimit që i ka bërë shteti serb në Kosovë, ka do të thotë fotografi të shumta, ka familjarë për të rrëfyer ngjarjet që kanë ndodhur gjatë luftës, si për shembull, familja Muqolli, familja Sharani nga Gjakova, familja nga Krusha e Madhe”, është shprehur Ahmet Grajçevci, nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të të Pagjeturve.

Emocionuese pritet të jetë për dëshmitarët e masakrave, që vizitorëve të ekspozitës, t’ua rrëfejnë përjetimet e tyre të luftës.

“Unë jam dëshmitar i gjallë i masakrës së Krushës së Madhe dhe këtë do ta rrëfej me kismet…… Këto kur të përsëriten, është pak ngarkesë për ne, por do t’i përballojmë të gjitha”, ka thënë për Teve1, Selami Elshani- dëshmitar i Masakrës së Krushës së Madhe.

Ekspozita e filluar që nga viti 2019, në qytetin e Hagë, vlerësohet se nuk ka ndonjë prapravijë që lidhet me veprimtarinë e Gjykatës Speciale.

“Ne këtë e kemi pasë plan qysh më herët që ta mbajmë në Hagë dhe nuk ka ndonjë prapavijë politike apo për të burgosurit që janë në Hagë”, ka treguar Grajçevci.

Kjo ekspozitë financohet nga Qeveria e Kosovës.

Ajo është mbajtur në Turqi, Austri, Angli e Kroaci, e që varësisht mjeteve në dispozicion do të mbahet edhe në shtete të tjera.