Të gjithë nën 12 vjeç: Fëmijët në Bosnjë dhe Hercegovinë shpëtuan veten nga trafikantët
Një vajzë 12-vjeçare, krejtësisht e çorientuar, po ecte në kohën e muzgut nëpër një lagje urbane në rajonin e Bërçkos, në veri të Bosnje - Hercegovinës, para se të trokiste në derën e një familjeje dhe të kërkonte ndihmë.
Ajo ishte e shoqëruar nga dy vajza të tjera, dukshëm më të vogla, kur tha se nuk dëshironte të kthehej në shtëpinë me shumë fëmijë tjerë.
Me ndihmën e saj, policia gjeti më 25 shkurt se në atë lagje gjendej një shtëpi me 31 fëmijë brenda, kryesisht vajza. Të gjithë fëmijët ishin më të vegjël se 12-vjeçarja që i shpëtoi.
Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Prokuroria e Distriktit të Bërçkos.
Në tre ditët e fundit janë arrestuar tetë persona, duke përfshirë edhe pronaren e shtëpisë, 72-vjeçaren, Zahida Gjogo.
Prokuroria dyshon se ata kanë kryer veprat penale “trafikim me njerëz”, “trafikim me fëmijë” dhe “braktisje ose keqtrajtim i fëmijës”, sipas Kodit Penal të Bërçkos.
Sipas deklaratave të Prokurorisë, fëmijët kanë shkuar në Bërçko nga pjesë të ndryshme të Bosnje - Hercegovinës, dhe nga jashtë vendit, bazuar në dokumentet personale të gjetura në shtëpi. Prandaj, policia ka kërkuar ndihmë nga agjencitë e tjera policore për identifikimin e tyre.
Në hetime janë përfshirë edhe Agjencia Evropiane e Policisë – EUROPOL, Agjencia Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje – SIPA, si dhe policitë nga pjesë të tjera të Bosnje - Hercegovinës, tha zëdhënësja e Policisë së distriktit të Bërçkos, Gjevida Hukiçeviq.
Ajo tha se policia do t’ia dorëzojë Prokurorisë një raport për veprat penale të kryera prej disa personave të dyshuar, por nuk mund të japë më shumë informacione për çështjen, për të mbrojtur të miturit.
Radmillo Ivanoviq, ushtrues detyre i kryeprokurorit të rajonit të Bërçkos, deklaroi se Prokuroria po verifikon nëse dokumentet personale të fëmijëve janë origjinale apo të falsifikuara.
Në mungesë të një strehimi të përshtatshëm për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore, fëmijët janë vendosur në një hotel të afërt, nën mbikëqyrjen e punonjësve të Kryqit të Kuq dhe punonjësve socialë, njoftoi policia.
Çfarë thonë banorët e lagjes?
“Kjo është lagje urbane ku shtëpitë familjare janë afër njëra-tjetrës, dhe nuk e dimë se si mund të ketë ndodhur kjo pa e ditur askush”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mehmed Mehmedoviq, kryetar i bashkësisë lokale Ivici, ku ndodhet shtëpia e Zahida Gjogos, gruas së arrestuar.
Megjithatë, fqinja e saj e parë, Emina Haliloviq, 74 vjeçe, ka thënë se ka parë gjithçka, por që nuk i është dukur “e dyshimtë që kaq shumë fëmijë nga Kroacia po qëndronin atje.”
Ajo tha se gjatë tetë vjetëve që ka jetuar aty, ka parë shumë fëmijë për të cilët kujdesej Zahida Gjogo, gjithmonë me ndihmën e një punonjëseje më të re, të cilat ndërroheshin herë pas here.
“Ajo kishte hapur një çerdhe këtu. Gjeti një punë për veten. I sillnin fëmijët që ishin vetëm një ose dy muajsh, dhe ajo i rriste. Disa prej tyre edhe shkonin në shkollë këtu", tha Haliloviq.
Mbrojtja e fëmijëve në Bosnje - Hercegovinë "lë për të dëshiruar"
“E vetmja strehë për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore në Bosnje - Hercegovinë u mbyll në fund të vitit 2023, për shkak të neglizhencës institucionale, më saktësisht sepse buxheti shtetëror për vitin 2024 nuk u miratua në kohë”, thotë Ana Kotur Erkiq, juriste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut nga rajoni i Bërçkos.
Bërçkoja gjendet në zonë kufitare, në të cilën mund të ketë edhe raste të ngjashme, por ende të pazbuluara, thotë Kotur-Erkiq, e cila ka vite që merret me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Ajo shpjegon se në Bërçko ndodhet një nga komunitetet më të mëdha rome dhe se studimet tregojnë se romët, veçanërisht fëmijët romë, janë më të prekurit ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo përmend një rast të pesë vjetëve më parë, në lagjen rome Prutaçe në Bërçko, kur një fëmijë është rrëzuar dhe e ka thyer legenin.
“Vetëm atëherë, në spital, u zbulua se prindërit e kishin braktisur dhe që ajo ishte një situatë e zakonshme në atë lagje, ku prindërit shkonin vetëm për të marrë ndihmën financiare për fëmijët, dhe më pas largoheshin në komunitete të tjera, ndërsa askush nuk kujdeset për fëmijët. Shpesh, ata flinin në fushë", tha ajo.
Ajo shton se në Bërçko nuk ekziston ndonjë institucion publik për punë sociale, ku punonjësit merren me punë sociale në terren. Përkundrazi, Departamenti për Mbrojtjen Sociale funksionon si një sektor brenda një ministrie dhe më shumë ka qasje administrative sesa praktike.
“Si juriste, jam përballur me raste kur një punonjëse sociale nuk citon Ligjin për familjen kur i jep një babai të dhunshëm të drejtën për të takuar fëmijën e tij. Ajo ndjek vetëm procedurën administrative, sikur të mos bëhej fjalë për një familje dhe një fëmijë, por për gjëra materiale”, ka thënë ajo.
“Asnjë prind nuk ka të drejtë, sipas Ligjit për familjen, t’ia besojë dikujt tjetër kujdesin për fëmijën në këtë mënyrë, as ta braktisë atë. Fatkeqësisht, askush nuk monitoron në mënyrë adekuate zbatimin e Ligjit për familjen", deklaron ajo.
Funksionimi i institucioneve
Raporti i fundit vjetor mbi trafikimin e qenieve njerëzore në Bosnje-Hercegovinë, u publikua nga Ministria e Sigurisë në mesin e vitit 2021, me të dhëna për vitin paraprak.
Ministria nuk është përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse ekzistojnë të dhëna të përditësuara.
Bosnje-Hercegovina nuk ka ndërmarrë asnjë hap për hartimin dhe miratimin e një plani të ri veprimi për mbrojtjen e fëmijëve, pasi plani i mëparshëm ka skaduar në vitin 2018.
Pavarësisht urgjencës, nuk janë marrë masa për të parandaluar shfrytëzimin e fëmijëve për kërkim lëmoshe, apo për mbledhjen e të dhënave mbi dhunën ndaj fëmijëve.
Raporti i Komisionit Evropian për Bosnje – Hercegovinën, për vitin 2024 thekson se vendi duhet të forcojë drejtësinë për fëmijët, duke përfshirë fëmijët e pakicave, migrantët dhe ata me aftësi të kufizuara. /REL