Nol Nushi mbrohet në heshtje në rastin ku po akuzohet për sulm ndaj policëve në protestën e vitit 2015

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, tani sekretar në Partinë Socialdemokrate, Nol Nushi, është mbrojtur në heshtje në rastin ku po akuzohet për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve në protestën e mbajtur në nëntor të vitit 2015.

Fillimisht në këtë seancë, gjyqtarja e rastit, Donikë Shala-Abdyli, ripërsëriti për palët se për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, tashmë ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse nga palët në procedurë, ku prokurori i rastit, Valdrin Krasniqi, deklaroi se dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer këto vepra penale do të vërtetohet gjatë administrimit të provave si në aktakuzë.

Po ashtu, prokurori Krasniqi propozoi dëgjimin e dy zyrtarëve policorë në cilësinë e dëshmitarëve, propozim të cilin më pas e refuzoi gjyqtarja Shala-Abdyli, me arsyetimin se zyrtarët policorë të propozuar, vetëm kishin bërë identifikimin e të akuzuarit Nushi atë ditë.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Nushi, avokati Dren Kukaj, tha se aktakuza është e pabazuar.

“Konsideroj se kjo aktakuzë është e pabazuar ose të paktën është e bazuar në argumente të pambështetshme, andaj edhe i njëjti duhet të lirohet nga kjo aktakuzë për të gjitha veprat që akuzohet”, tha avokati Kukaj.

Po në këtë seancë, është bërë edhe administrimi i provave materiale. U bë shikimi i video-incizimeve me CD, si dhe provat e tjera materiale nga foto-albumi.

Lidhur me pamjet nga video-incizimet e marra nga mediet elektronike, prokurori Krasniqi deklaroi se nga veprimi i protestuesve, shihet policia mbrapa mbrojtësve kur në një moment, njëri prej tyre goditet me gurë në kokë.

Ndërsa, avokati Kuka tha se në asnjërën nga provat nuk faktohet ajo që është përshkruar në aktakuzë.

“Në fotografi nuk shihet duke hedh gurë, fotografitë janë diskutabile sepse mungon një dokument për të vërtetuar kohën e realizimit të tyre e për më tepër nga këto prova fare nuk provohet lidhja kauzale në mes veprimeve të Nolit dhe pasojave që kjo Prokurori pretendon se kanë ngjarë”, tha ai.

Më pas, në radhën e dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari Nushi, i njëjti deklaroi se dëshiron të mbrohet në heshtje

Nushi akuzohej edhe për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, mirëpo gjyqtarja Donika Shala-Abdyli në seancën e 7 shkurtit 2023, njoftoi se për të njëjtën tashmë ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 janar 2016, i akuzuari Nol Nushi ngarkohet se më 17 dhe 18 nëntor 2015, prej orës 12:00 deri rreth orës 20:00, ka marrë pjesë në turmën-protestën, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, Nushi si pjesëmarrës aktiv i protestës akuzohet se ka sulmuar seriozisht policët e Kosovës duke i goditur me gurë, kubëza betoni dhe mjete të tjera të forta.

Tutje, në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve, janë shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe dëme të mëdha materiale, si në pronën shoqërore edhe në prona private.

Me këtë, sipas prokurorisë, Nushi akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga Neni 421, par. 1, veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga Neni 410, par. 2 të Kodit Penal. Po ashtu, ngarkohej edhe me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga Neni 333, të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi