Vëllezërit Tate largohen nga Rumania drejt SHBA-së
Figura kontroverse që ka ndikim në internet, Andrew Tate, dhe vëllai i tij janë nisur me avion drejt Shteteve të Bashkuara, duke u larguar nga Rumania ku kanë qenë të përfshirë në një çështje ligjore nën dyshime për trafikim me qenie njerëzore dhe shfrytëzim seksual.
Njësia e prokurorisë kundër krimit të organizuar në Rumani, DIICOT, tha më 27 shkurt se gjykatësit kanë hequr masën e ndalimit për vëllezërit, që kanë shtetësi britanike dhe amerikane dhe të cilët ishin nën masën e arrestit shtëpiak për shkak se dyshohen për një rast penal.
Kjo njësi nuk dha detaje se pse u është hequr masa e ndalimit të udhëtimit, por njoftimi vjen pasi ministri i Jashtëm i Rumanisë, Emil Hurezeanu, tha se rasti i vëllezërve është ngritur më herët gjatë këtij muaji nga Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, për misione të posaçme.
Si Hurezeanu dhe kryeministri Marcel Ciolacu kanë thënë se nuk kanë pasur presion nga zyrtarët amerikanë për të liruar vëllezërit.
Ueb-faqja rumune BoardingPass tha se një avion privat u nis nga Bukureshti më herët gjatë 27 shkurtit drejt Shteteve të Bashkuara. Mediat lokale, duke cituar burime, thanë se vëllezërit Tate ishin në bordin e këtij avioni.
“Kërkesa për të ndryshuar obligimin për moslargim nga Rumania është miratuar”, thanë prokurorët përmes një njoftimi, duke shtuar se të gjitha obligimet e tjera janë respektuar “përfshirë kërkesat për kontroll nga autoritetet gjyqësore sa herë që u është kërkuar”.
Rastet ligjore ndaj vëllezërve Tate
DIICOT ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Tate dhe dy grave rumune, pasi ata u arrestuan në dhjetor të vitit 2022 nën dyshime për trafikim me qenie njerëzore.
Ndaj katër të dyshuarve zyrtarisht u ngrit aktakuzë vitin e kaluar dhe Gjykata e Bukureshtit vendosi vitin e kaluar që gjyqi mund të niste, por nuk caktoi një datë për nisjen e tij. Të katër të akuzuarit kanë mohuar akuzat.
Megjithatë, Gjykata e Apelit në Bukuresht më 19 dhjetor gjeti “parregullsi” në aktakuzën e lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe e riktheu rastin te prokurorët.
Gjykata tha se prokurorët tani mund të sjellin dëshmi të reja për të mbështetur akuzat e tyre apo të ndryshojnë aktakuzën ekzistuese.
Andrew Tate, 38 vjeç, ka më shumë se 10 milionë ndjekës në rrjetin social X, por është dëbuar nga platformat e tjera, përfshirë nga Facebook-u dhe TikTok-u, pas akuzave se ka publikuar deklarata me gjuhë të urrejtjes dhe komenteve mizogjiniste.
Ai është ankuar për aktakuzën, duke i akuzuar prokurorët se po tentojnë të “shënjestrojnë të gjithë që i njoh dhe madje kanë lëshuar urdhër për paraqitje për nënën e fëmijës tim” dhe duke pretenduar se ata nuk kanë prova kundër tij.
Andrew Tate në gusht u vendos në masën e arrestit shtëpiak dhe Tristan Tate u vendos nën kontroll të autoriteteve për 30 ditë, pasi ata u morën në pyetje nga prokurorët rumunë kudër korrupsionit, si pjesë e hetimit të akuzave të reja kundër tyre.
Gjatë hetimit penal, prokurorët thanë se kanë identifikuar shtatë gra që ishin shfrytëzuar seksualisht “me forcë, në mënyrë që të merrnin përfitime të mëdha finanicare” për të akuzuarit nga njerëzit që kishin qasje në përmbajtje në rrjetet sociale.
Prokurorët i kanë akuzuar vëllezërit Tate për rekrutim të viktimave të tyre, duke i joshur ato dhe duke iu premtuar lidhje apo martesë.
Viktimat më pas ishin dërguar në pronat e tyre në periferi të Bukureshtit, ku ishin shfrytëzuar seksualisht përmes dhunës fizike dhe kërcënimeve psikike dhe u detyruan të krijonin përmbajtje pornografike, thanë prokurorët.
Hetuesit rumunë i morën sërish në pyetje vëllezërit Tate dhe kryen bastisje të reja në pronat e tyre lidhur me akuzat e reja. DIICOT tha atëbotë se akuzat e reja përfshijnë akuzën e formimit të një grupi të organizuar, trafikim të minoerëve, akteve seksuale me minorenë, deklarata ndikuese dhe pastrim parash.
Atyre u ishte ndaluar largimi nga Rumania teksa vazhdonin procedurat ndaj tyre, por pritej që të ekstradoheshin në Britani, kur të përfundonin proceset në Rumani.
Në Britani, ata përballen me akuza të tjera për dhunim dhe trafikim me qenie njerëzore, shtet ku më 18 dhjetor një gjykatë vendosi se policia mund të konfiskojë 3.3 milionë dollarë për të mbuluar taksat e papaguara për vite të tëra.
Vëllezërit Tate kanë thënë më herët se nuk duan të ekstradohen nga Rumania, shtet që e konsiderojnë shtëpi të tyre. /REL