Për një vit ikin mbi 40 mijë shqiptarë, çdo i larguar i arsimuar i kushton Shqipërisë rreth 14 mijë euro

Shkollohen, arsimohen dhe kur duhet të kontribuojnë në ekonominë e vendit, zgjedhin të largohen. Çdo shqiptar i aftë për punë që ikën, i kushton Shqipërisë 14 mijë euro.

Një studim për emigrimin e të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor i realizuar nga “Fondacioni Westminster për Demokraci” tregon se çdo largim është një kosto e humbur për ekonominë e vendit tonë si në drejtim të arsimimit, por dhe punësimit.

“Ky djalë apo vajzë derisa është bërë 26 vjet është rritur nga taksapaguesit shqiptarë. Nëse ka shkuar në shkollë ka shkuar nga taksat e shqiptare nëse ka pasur nevojë shëndetësore ka shkuar në spitale ku taksapaguesit shqiptarë kanë paguar. Kostoja tjetër e madhe është se këta të rinj largohen në moshën e punës, d.m.th. kontributi i tyre si individë në moshën e punës është zero në atë drejtim”, tha për A2 CNN, Arjan Gjonça, ekspert për emigracionin.

Studimi merr në analizë një mesatare prej 41 mijë e 700 persona në vit të larguar. Ndalur te kostot e arsimit, ato arrijnë deri në 500 milionë euro.

Shkollimi i një shqiptari në varësi të nivelit arsimor kushton 6 mijë euro për filloren, 9 mijë e 300 euro për shkollën e mesme, 18 mijë euro për studimet akademike dhe 32 mijë euro për studimet doktorale. 1 miliard euro humbje.

“Nëse ne do të marrim se PBB është midis 18-19 miliardë euro një llogaritje e thjeshtë e bërë nga kjo shifër në këtë studim, rreth 5-6% e GDP është humbje. Ajo rritja ekonomike e Shqipërisë do të ishte shumë më e madhe”, shton Gjonçaj.

Përfitimi i vetëm i Shqipërisë nga të shqiptarët e larguar janë remitancat, të cilat nuk përcaktohen si një tregues pozitiv i vendit.