Haxhiu për kritikat e SHBA-së dhe BE-së pas mbylljes së QPS-ve në veri: Veprimet s’janë kundër partnerëve tanë
Mbyllja e disa qendrave ilegale serbe të mirëqenies dhe punës sociale në veri të Kosovës ditë më parë është kundërshtuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe OSBE-ja.
Në lidhje me këtë ka folur sot ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se veprimet e Qeverisë nuk janë kundër partnerëve ndërkombëtarë e as kundër qytetarëve të saj, por ato, sipas saj, bëhen për të respektuar rendin dhe ligjin, transmeton Zeri.info.
“Veprimet e Qeverisë sonë nuk janë kundër partnerëve tanë ose qytetarëve tanë, këto qendra janë mbyllur për shkak se dyshohet se përmes tyre është ndërhyrë apo bërë presion për zgjedhjet e 9 shkurtit, pra duke kushtëzuar votën e qytetarëve serbë”, tha Haxhiu.
Ajo përmendi raportin e vëzhguesve të BE-së, të cilët kanë konstatuar se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“E keni parë që vetë shefja e Misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë. Pra këto qendra dyshohet se kanë qenë instrument i ndërhyrjes, prandaj ka pasur ndërhyrje të institucioneve”, tha ministrja në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë. /Zëri