Arrestohen dy fajdexhinj në Prizren
Dy persona janë arrestuar të martën në Prizren, në një operacion të zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve të DRP – Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, lidhur me veprën penale “Fajde”.
Zëdhënësi i PK-së për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë ushtruar presion ndaj një tjetri me qëllim të marrjes së interesit nga fajdeja.
“Të dyshuarit në këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj viktimës, me qëllim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdesë, duke e detyruar të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë se tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës. Gjatë operacionit policor është kontrolluar shtëpia dhe objektet e tjera përcjellëse të të dyshuarve, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi, dy automjete dhe dy armë, që mund të kenë lidhje me rastin”, ka thënë Bytyqi.
Ndaj të dyshuarave, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.