Komandant Hoxha sot u përgjigjet pyetjeve të avokatëve të ish-krerëve të UÇK-së
Ismet Tara, i njohur si komandant Hoxha, sot do t’u përgjigjet pyetjeve të avokatëve mbrojtës të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.
Tara dje bëri një reagim në Facebook, ku tha se do t’i kundërshtojë pretendimet e Speciales ndaj udhëheqësve të UÇK-së që po mbahen atje.
Ai tha se akuzat ndaj tyre janë produkt i një skenari të përgatitur nga kriminelët ushtarakë serbë dhe Akademia serbe.
“Shihemi nesër në gjykatë, ku do të përgjigjem ndaj të gjitha pyetjeve të avokatëve mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së,” kishte deklaruar ai.
Komandant Hoxha, kishte refuzuar që dje të jepte dëshminë në Speciale duke thënë se nuk e njeh këtë gjykatë.
Ndërkaq, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Seanca është paraparë të nis nga ora 09:00.