Analistët: LVV-ja synon të “peshkojë” deputetë opozitarë për formimin e qeverisë
Votat nga diaspora, ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat do të nisin të numërohen javën tjetër, pritet të përcaktojnë përfundimisht numrin e deputeteve që kanë fituar partitë politike më 9 shkurt. Analistët politikë vlerësojnë se Vetëvendosje është në kërkim të deputetëve nga partitë opozitare që t’i rekrutojë dhe bëjë pjesë të grupit të saj parlamentar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e votave të të gjitha vendvotimeve në Kosovë për zgjedhjet që u mbajtën me 9 shkurt. Kurse nga java tjetër pritet që të nisë numërimi i votave me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë votave nga diaspora.
Megjithatë deri më tani, partia e parë në vend mbetet Lëvizja Vetëvendosje me 345 mijë e 602 vota apo 40.90 %.
Ky rezultat i siguron LVV-së 47 deputetë, shifër kjo e cila mund të rritet apo ulet gjatë numërimit të votave të diasporës.
Por, përkundër kësaj, krijimi i qeverisë vetëm nga partia e kryeministrit Kurti vlerësohet i vështirë.
Përveç partisë “Nisma Socialdemokrate” që kreu i saj Fatmir Limaj la të hapur mundësinë për bashkëpunim, futja në kombinim edhe e ndonjë partie tjetër opozitare vlerësohet gjithashtu i vështirë.
“Ka mundësi të kalimit të deputetëve nga një parti në tjetrën që individualisht të kalojnë në Vetëvendosje, ka mundësi që LVV të bashkohet më minoritetet jo serbe që janë 10 vota dhe nëse mbetet për 1-2 këto që po diskutohen mund të bëjë që ajo të formoj qeverinë”, ka thënë Magbule Shkodra, analiste politike.
Emra të tillë thotë që po diskutohen edhe analisti tjetër politik, Blerim Canaj.
I njëjti thotë se ka mundësi që deputetë të cilët më parë janë larguar nga grupi parlamentar i LVV-së të kthehen sërish.
Ndërkaq, Canaj jep prognozat e tij për koalicione të mundshme.
“Duke pas parasysh që Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj kanë qenë të prerë që nuk do të shkojnë në një koalicion më LVV-në i bie që të hapur mbetën Limaj dhe Lidhja Demokratike për shkak që Abdixhiku nuk ka qenë i prerë nëse do apo nuk do shkoj në një koalicion më LVV-në”, ka thënë Canaj.
Dukagjini ka pyetur Vetëvendosjen rreth mundësisë së bashkëpunimit me deputetë nga partitë tjera, por nuk ka marrë përgjigje./Dukagjini/