Inaugurohet Laboratori i Gazetarisë Mobile & UPpodcast

Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka inauguruar Laboratorin e Gazetarisë Mobile & UPpodcast.

Në ceremoninë e hapjes prorektori i Universitetit të Prishtinës, Avni Hajdari, theksoi rëndësinë e investimeve në mësimdhënie, duke i cilësuar ato si investime afatgjata dhe të domosdoshme për zhvillimin e universitetit.

Ai gjithashtu falënderoi donatorët për mbështetje, duke përfshirë një investim prej 25 mijë eurosh nga fusha e artit.

“Sot është kënaqësi e veçantë që t’u drejtohem në emrin tim në këtë ngjarje të inaugurimit të laboratorit. Investimi në mësimdhënie është investimi më afatgjatë dhe më i miri që mund të bëhet në universitet. Nga ky investim do të kenë mundësi të përfitojnë profesorët dhe studentët, por pse jo edhe palët e treta gazetarët. Në këtë rast është vërtetë kënaqësi të kemi donatoret sidomos nga fusha e artit. Është rasti i parë që nga arti kemi një investim që kalon vlerën 25 mijë euro”, tha ai.

Këngëtarja Tayna, e cila ishte e ftuar speciale, pasi fondacioni i saj mbështeti investimin në këtë laborator shprehu emocionet për rikthimin në jetën studentore dhe theksoi rëndësinë e kontributit të secilit student për të ardhmen.

Ajo shtoi se sektori i medias e ka ndihmuar të arrijë suksesin dhe i inkurajoi studentët të ndjekin pasionin e tyre.

“Pas disa vitesh të kthehem në jetën studentore është emocion i papërshkrueshëm. Jam i lumtur që studentët janë e ardhmja dhe zemra e këtij vendit. Si artiste kam kuptuar që çdo notë muzikore ka rendësi të veçantë në karrierën time. Më ka dhënë mundësi të reja por kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e bashkëpunëtoreve. Ju studentë nuk jeni vetëm individë që keni drejtë diplome por jeni ura e së ardhmes. Tek unë gjithmonë do t’i keni dyert e hapur sepse çdo kontribut do të bëhet jehonë përtej botës. Nëse unë kam mundur, mundeni edhe ju. Sektori i medias me ka mundësuar të rritem dhe jam krenare që kam mundësi me mbështes këtë fushë që brezat të kenë mundësi me ndjek pasionin e vet dhe me inspiruar gjeneratat e reja. Së bashku mund të kontribuojmë drejtë një të ardhme ku krijimtaria nuk njeh kufi”, ka thënë ajo.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Abdulla Rexhepi, e vlerësoi laboratorin si një mundësi të shkëlqyer për forcimin e aftësive akademike të studentëve.

“Ky laborator është një rezultat i frytshëm, për këtë dëshiroj të shpreh mirënjohjen ndaj artistëve. Ky laborator do të kontribuojë në forcimin e aftësive akademikë që do të bëhet si pjesë e rëndësishme e të ardhmes së studentëve”, ka thënë Rexhepi.

Profesor Muhamet Jahiri theksoi se ky investim ofron mundësi të reja për studentët, duke i mundësuar atyre qasje në teknologjinë më të avancuar.

“Ky investim shënon një hap të rëndësishëm dhe krijimin e mundësive për studentët tanë. Me hapjen e këtij laboratorit po ofrojmë studentëve një hapësirë moderne dhe me pajisje me të reja të cilat prodhohen nga modelet më të reja. Ky investim i parë i UP-së do të jetë një rrugë që do të duhet ta ndjekin edhe brezat e tjerë”, ka thënë Jahiri. /eo