Dekorohet ish-ushtari i UÇK-së nga Danimarka, Niels Henrik Hooge

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në një ceremoni të veçantë u ka ndarë Dekorata Presidenciale personaliteteve të cilat kanë kontribuuar në çlirimin e vendit.

Në mesin e të dekoruarve është edhe ish-ushtari i UÇK-së, Niels Henrik Hooge.

Intelektuali danez Niels Henrik Hooge ishte pjesëtar i UÇK-së.

Ai po ashtu ka kontribuar edhe pas luftës në Kosovë, duke bërë pastrimin e terreneve nga minat.

Muaj më parë ai i ishte bashkëngjitur kërkesës që lulëkuqja të bëhet simbol i gjenocidit në Kosovë.

“Unë mbështes iniciativën që institucionet në Kosovë ta përdorin këtë logo si emërtim i përbashkët për spastrimin etnik, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin”, ishte shprehur ai.

Niels Henrik Hooge po ashtu është një hulumtues shkencor, jurist, filozof dhe shkrimtar danez. Ai është edhe autor i shumë librave e një ndër to është edhe romani "Kosova".