Incident në veri, Elshani: 12 të mitur hynë në qytet me flamuj e dyshohet se u sulmuan nga disa serbë

Policia e Kosovës ka ndaluar 12 persona, 10 prej të cilëve të mitur, që kanë hyrë në Mitrovicë të Veriut me vetura që kishin simbole kombëtare. Të njëjtit dyshohet se janë sulmuar më pas me gurë nga disa serbë.

Rastin e ka konfirmuar Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani.

Elshani për Reporteri tha se të njëjtit janë ndaluar për shkak të kundërvajtjes në trafik – mospajisje me dokumente përkatëse dhe tejkalimit të numrit të pasagjerëve në një veturë.

“Janë ndaluar 12 persona, 10 të mitur, dyshohet se me flamura shqiptarë kanë hy në Mitrovicë të veriut. Dyshohet se disa serbë më pas i kanë sulmuar me gurë. I kemi ndalu dy kerre, në njërin kerr kanë qenë pesë të mitur në kerrin tjetër kanë qenë shtatë persona. Ende nuk ka ndonjë vepër, përveç për patentë shofer e kundërvajtje në trafik, për ketë punë jemi duke u marrë me ta”- ka thënë Elshani.Elshani tha se gjatë ditës së sotme janë angazhuar që në pjesën veriore mos të ketë provokime me rastin e festimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Nuk ka vepër për përdorimin e flamurave, por për këto çështjet e kundërvajtjes. Deri sa t’i sqarojmë disa situata që kanë ndodhur. Tani jemi duke e trajtu ketë rast, pasi që personat janë të mitur”- ka thënë ai.