Kurti në Konferencën e Sigurisë në Mynih: Takime të shumta për bashkëpunim dhe siguri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Ai ka bërë një reflektim për këtë konferencë, teksa ka thënë se ka takuar e biseduar me shumë liderë botërorë e që temë kyçe ka qenë siguria, raporton Zeri.info.
Kurti u takua me Gjenerallejtënantin amerikan Michael Fenzen, për të cilin tha se ia ka afirmuar gatishmërinë e përfshirjes së Kosovës në nisma globale të udhëhequra e të koordinuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në anën tjetër, Kurti u takua edhe me homologun nga Islanda, Kristrun Frostadottir, ku u fol rreth përfitimeve të dy anshme nga Marrëveshja për Tregti të Lirë e Kosovës me shtetet anëtare të EFTA-s, të cilën e nënshkruam në janar.
“Me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan folëm për marrëdhënie bilaterale të forta dhe bashkëpunimin e afërt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
Me ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušië shqyrtuam mundësi të reja të partneritetit në mbrojtje dhe veçanërisht bashkëpunim në fushën e industrisë ushtarake.
Ndërkaq në takim me ministrin e Financave të Gjermanisë, Jörg Kukies veçuam rëndësinë e shtimit të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja direkte nga Gjermania krahas marrëdhënieve të forta bilaterale në siguri e mbrojtje.
Bashkëbisedime patëm edhe me emisarin e ri të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, Kryetaren e Grupit të Miqësisë Kosovë-Finlandë në parlamentin finlandez, Tytti Tuppurainen dhe Drejtorin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebraik, Ted Deutch. E ndërmjet takimeve, patëm edhe më shumë diskutime e shkëmbime me liderë të tjerë e miq të shumtë në hollet e Hotelit Bayerischer Hof, në darkën e shtruar nga Kancelaria e shtetit të Bavarisë, drekën e shtruar për Ukrainën, tryezën e diskutimit për taktikat hibride ruse në Evropë e drekën e punës të organizuar nga Këshilli Atlantik”, shkroi kryeministri ndër tjera. /Zëri