Pas katër ditësh përfundon dëshminë Sylejman Selimi, në pjesën e fundit foli për Shtabin e Përgjithshëm
Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës dhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, ka përfunduar dëshminë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë gjithë dëshmisë së tij, dëshmitari u përfaqësua nga avokati Artan Qerkini. Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari u mor në pyetje nga tri ekipet mbrojtëse, përveç atij të Rexhep Selimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari mohoi se ka pasur kompetenca, udhëzime apo rregullore që të arrestojë civilë. Të njëjtën gjë, Selimi e konfirmoi edhe për avokatin e Veselit Rodney Dixon.
Ai rikonfirmoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka ofruar mbështetjen e duhur për zonat operative.
“Shtabi i Përgjithshëm e ka pasur emrin dhe në dukje kur e përmend si Shtab në dukje është diçka e madhe. Do të kisha pasur dëshirën që ta kemi një Shtab të tillë gjatë kohës së luftës, por fatkeqësisht nuk e kemi pas një shtab të tillë që munden me u mbështetë zonat operative. Ka qenë një shtab që u përbë prej disa anëtarëve që më shumë nuk i ke taku se sa që i ke taku. Ka qenë një shtab jo funksional”, tha ai.
Avokati i Veselit, Rodney Dixon, kërkoi që të informohet se çfarë do të vijohet më tej pas prillit.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se kur të përfundon Prokuroria, do të organizojnë një konferencë për ecurinë e çështjes. Megjithatë, ai tha se do të lëshojnë edhe disa urdhra në përgjigje të pyetjeve të mbrojtjes pasi Dixon theksoi se kanë disa afate për parashtrime e mocione.
Ndërsa, kur iu dha fjala mbrojtësit të viktimave, seanca kaloi në sesion privat për të diskutuar lidhur me disa parashtrime lidhur me disa masa mbrojtëse të cilat janë pezull.
Smith njoftoi se javën e ardhshëm Prokuroria e ka vetëm një dëshmitar të siguruar dhe se iu kërkua që të përpiqet që ta sigurojë edhe një tjetër në mënyrë që të mos zvarritet koha në gjykatë.
Me kaq përfundoi seanca e sotme, për të vazhduar më pas të martën më 18 shkurt 2025.
Ndryshe, Sylejman Selimi e kishte filluar dëshminë të hënën (10 shkurt) dhe vazhdoi për katër ditë me radhë.